Bërnabiq: “Jemi afër konfliktit të armatosur për shkak të lëvizjeve të Prishtinës”


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se Serbia është afër një konflikti të armatosur me Kosovën. Gjatë një seance në kuvendin e Serbisë, Bërnabiq pas kësaj deklarate për luftë, ka thënë se në këto kohë duhet të ruhet paqja.

“Jemi në prag të një konflikti të armatosur falë lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës. Organizatat e shoqërisë civile, ju lutemi të flisni për torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë. Në këtë moment të gjithë duhet të bëjnë çmos për të ruajtur paqen”, ka thënë ajo, shkruan Tanjug.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se largimi i barrikadave në veri të vendit nuk mund të përjashtojë fatkeqësitë. Vuçeviq për këtë deklaratë të Kurtit ka thënë “se është një kërcënim i përgjithshëm për serbët dhe se është një kërcënim edhe për Serbinë, mbi të gjitha për njerëzit tanë që jetojnë në Kosovë”.

Ndër të tjera, ai për RTS ka thënë se “deri më tani nuk ka pasur kontakte fizike në mes të dy palëve dhe nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj komunitetit serb” duke theksuar se “nuk mund të përjashtojmë që të mos ndodhë në orët apo ditët në vijim, sidomos duke marrë parasysh deklaratat që dëgjuam dje nga Kurti”. Ndryshe, të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se largimi i barrikadave në veri të vendit nuk mund të përjashtojë fatkeqësitë. Kështu ka raportuar gazeta britanike “The Guardian”.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë fatkeqësitë”, tha ai.
“Kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, shtoi Kurti. Ndërkaq, bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 12.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës. Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në mbrëmje janë dëgjuar dy shpërthime në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre Rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës. Lajmin e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës, njësitet patrolluese policore të rendit publik, rreth orës 20:45 dhe 21:20, kanë njoftuar se në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre rrokaqiejt’- Mitrovicë Veri, janë dëgjuar dy shpërthime (dyshohet të jenë shok-bomba)” , ka thënë Kelani. Megjithatë, Kelani ka shtuar se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material. Për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës, janë shtuar patrullime edhe nga ana e KFOR-it e EULEX-it.