Berisha – Vuçiçit: “Çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit shqiptar”

Ish-Kryeministri Sali Berisha është shprehur se PD-ja nuk do ta pranojë kurrë Ballkanin e Hapur. Aleksandër Vuçiç, lideri historik i demokratëve, e konsideron mikun e ngushtë dhe padronin e Edi Ramës. Berisha pati një paralajmërim për Vuçiç ku tha se do të përballet me reagimi e kombit shqiptar për çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës.

“Në këto 8 vite, Tirana është shndërruar në epiqendër, në vasal të Beogradit. Edi Rama është sot njeriu që i bën tualet më shumë se kushdo tjetër Gebelsit të Millosheviçit që e ka emrin Aleksandër Vuçiç. A e dini ju miqtë e mi se në tryezat diplomatike të nivelit më të lartë, kryeministrat, kryetarë shtetesh hapin sytë kur dëgjojnë Ramën që flet me aq pasion për Aleksandër Vuçiç, njeriun që nuk njeh gjenocidin të sanksionuar nga dy vendime gjykatash në Bosnje, njeriun që nuk njeh gjenocidin në Kosovë dhe që punon haptas për Serbinë e Madhe.

Ne jemi dhe do jemi për bashkëpunim rajonal, do bëjmë gjithçka për paqen dhe stabilitetin në rajon, por kurrë nuk do ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë ndaj Kosovës, s’do të pranojmë kurrë Ballkanin e Hapur, një aleancë antishqiptare dhe që është fund e krye në shërbim të Serbisë së Madhe, një aleancë e cila është fund e krye në shërbim të influencës ruse në rajon. Koha po provon se miku i ngushtë i Edi Rama, në fakt, padroni i tij absolut, ka rikthyer Serbinë me politikën e tij ashtu siç ka qenë 100 vite më parë, një Rusi e vogël në rajon.

Megjithatë, ne jemi këtu prapë në këmbë për t’i thënë këtij serbomadhi se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit shqiptar si komb i vetëm. Ka ikur koha kur ne na impresiononin, asgjë s’na impresionon ne. Do paqe, bashkëpunim, jemi të hapur, kërcënime mbaji për vete se atë fat që do të pësojë Putini në Ukrainë do ta pësosh dhe ti në çdo aventurë tënden në Kosovë dhe kudo tjetër”, u shpreh Berisha./tvklan.al/