Berisha mesazh Vuçiqit: Çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do ketë reagimin e kombit shqiptar

Ish-kryeminstri Sali Berisha, e ka kritikuar atë aktual, Edi Ramë, për bashkëpunim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke thënë se ‘Open Balkan’ është në dëm të shqiptarëve dhe sjell influencën e Rusisë.

“Në tryezat diplomatike të nivelit më të lartë, kryeministrat hapin sytë kur e ndëgjojnë Ramën kur flet për Vuçiqin, që nuk njeh gjenocidin në Bosnjë e Kosovë, njeriun që punon haptas për Serbinë e madhe”, tha Berisha.

“Ne nuk do të lejojmë kurrë që Shqipëria të jetë në epiqendër të luftës së ftohtë ndaj Kosovës”.

“Miku i ngushtë i Edi Ramës ka rikthyer Serbinë ashtu siç ka qenë 100 vite më parë, një Rusi e vogël në rajon, por ne jemi në këmbë për t’i thënë serbomadhit, se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit shqiptar si komb i vetëm”.

“S’do e pranojmë kurrë “Ballkanin e Hapur” që është në shërbim të Serbisë së Madhe, një aleancë e cila është fund e krye në shërbim të influencës ruse në rajon”.

“Atë fat që do të pësojë Putini do ta kesh ti në çdo aventurë tënden në Kosovë dhe kudo tjetër”.