Berisha: Kurti s’më ka folur pasi u bë kryeministër, le ta dijë e gjithë bota se unë jam kosovar

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha foli në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës dhe qëndrimin e Tiranës zyrtare.

Teksa hodhi akuza në lidhje me mbështetjen që sipas tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po i jep Beogradit, Berisha u ndal dhe te marrëdhënia e tij personale me kryeministrin Albin Kurti.

Berisha në “Euronews Albania” tha se me Kurtin nuk ka pasur asnjë takim që pasi ai është zgjedhur kryeministër, dhe mund ta ketë takuar dy-tre herë gjithsej gjatë karrierës politike.

Ai shtoi se nuk e ka këshilluar për veprimet që duhet të ndërmarrë, pasi këto kohë nuk kanë pasur komunikim.

“Në mënyrë absolute Kurti nuk ka ardhur në zyrën time, as nuk kam asnjë komunikim. Atëherë nuk ka ardhur për të më kërkuar mendimin por për të mbështetur mendimin tim, pasi siç e dini njeriu i parë që kundërshtoi në mënyrë intensive çështjen e ndarjes së Kosovës isha unë. Pastaj filluan me radhë edhe autoritetet politike në Kosovë. Erdhën njëri pas tjetrit për t’u solidarizuar me qëndrimin tim, por jo se pata ndonjë lidhje”.

“Hera e fundit që mund të kem komunikuar me Kurtin mund të ketë vite, kam drekuar njëherë gjatë kohës që ishte në opozitë. Pasi ai u zgjodh kryeministër nuk kam pasur asnjë komunikim. Ky është personi që kam takuar më pak nga politikanët e tjerë të Kosovës. (Klonopin) Kam ngrënë një drekë me të e kam takuar dy tre herë dhe kaq”, ka thënë mes tjerash Berisha.

Ndër të tjera, ai tha publikisht se është kosovar.

“Kosova është dheu im, duhet ta dijë e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota që unë jam kosovar. I kam thënë një fjalë luftëtarëve të Kosovës në 92-shin, Adem Jasharit dhe grupit të tij, që gjysmën e kohës e kam për Shqipërinë, gjysmën tjetër për Kosovën, këtu unë nuk mund të ndryshoj. Kosova, Malësia e Gjakovës është etnikisht pjesë e Kosovës”, tha Berisha.