Berisha: Kjo ishte grevë! Taulant Balla është një kriminel më i poshtër se Bajrat, më i poshtë se Çelët!


Lideri i opozitës, Sali Berisha, e cilësoi “grevë”, aksionin e sotëm politik në parlamentin e Shqipërisë, i cili eci në vazhdën e qendresës që kanë nisur deputetët opozitarë për nëpërkëmbjen që po iu bën mazhoranca socialiste në Kuvend sipas një axhende të hartuar nga Kryeministri Edi Rama.

“Kjo ishte grevë, – theksoi Berisha për mediat kur doli nga salla e Kuvendit. – Ne shpallëm një grevë të përkohshme aq sa do vazhdonte turpi i parlamentit. Dhe ata nuk e respektojnë grevën.

Unë ua thashë edhe deputetëve socialistë, ne nuk kemi punë me ta, ne kemi punë me Edi Ramën. Ne kemi punë me Taulant Ballën. Taulant Balla është një kriminel më i poshtër se Bajrat, më i poshtë se Çelët se ai ka marrë postin e ministrit të Brendshëm, kurse ata rrinë në bodrumet e tyre. Si mundet që ky njeri të largojë nga policia 64 IMSI Catcher, në një kohë kur vetë ka pasur tre?! A nuk është ky abuzim i tmerrshëm me pushtetin?!

Ne nuk heqim dorë, ky është vetëm fillimi! Po ne të drejtat tona kushtetuese, së pari të drejtën e krijimit të komisionit hetimor parlamentar; së dyti, të drejtën e procedurës parlamentare për nismat tona ligjvënëse. Ne nuk themi se nisma jonë ligjvënëse do shndërrohet në ligj, por ajo duhet të kalojë të gjithë procedurën parlamentare dhe të mos mbetet në sirtaret e Lindës së parlamentit. Kjo nuk ndodh kund në botë.

Ne kërkojmë që përfaqësuesit tanë, në komisione dhe kudo, t’i caktojë grupi parlamentar dhe jo Edi Rama. Besoj se këto janë kërkesat më legjitime, pa të cilat ne nuk kemi asnjë lloj autorizimi nga zgjedhësit tanë që të vazhdojmë si marioneta në aktivitetin tonë parlamentar.”