Berisha: Jam shpallur “non grata” nga Anglia

ilustrim

“Vendim i bazuar në shpifje. Pas tij janë Rama e Basha”

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sali Berisha, shpallet “non grata” edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Ka qenë vetë kryedemokrati, i cili publikoi vendimin e Sekretarit të Brendshëm të këtij shteti ku njoftohej se i ndalohej hyrja në këtë vend, edhe pse britanikët kishin deklaruar se nuk do t’i publikonin emrat.

“Jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në Mbretërinë e Bashkuar me arsyetimin se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mretërinë e Bashkuar dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese.”

Autoritetet britanike e akuzojnë për korrupsion dhe pasurim të njerëzve pranë tij duke sjellë si shembull ish-këshilltarin e tij për zgjedhjet Damir Fazlliç.

Por këto akuza të qeverisë britanike, Berisha i ka hedhur poshtë duke thënë se ndaj Fazlliçit ndonëse Kryeprokurorja e kohës Ina Rama nisi një hetim nuk u provua asnjë shkelje ligjore ndaj tij, ndërsa qeveria Rama ka vijuar të bëjë biznes me të.

“Prokuroria e Ina Ramës, për mendimin tim për motive politike, çka unë e denoncova, ngriti dhe zhvilloi hetime ndaj tij në përfundim të të cilave nuk provoi dot asnjë shkelje të z. Fazlliç. Ajo për të cilën e hetonin ishin jo tendera, prokurime të drejtpërdrejta apo para publike, por blerje e një toke private, me fonde gjithashtu private. Damir Fazlliç nuk ka përfituar kurrë, qoftë dhe një qindarkë të vetme nga unë apo qeveria ime. Ai ka vazhduar biznesin dhe investimet gjatë qeverisë Rama, dhe nëse do kishte patur pengim të hetimit ndaj tij gjatë qeverisë sime, ka pasur 10 vjet kohë që të hetonte Prokuroria gjatë qeverisë Rama, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Pra, autoritetet e MB të vetmin rast konkret që citojnë është i 14 viteve më parë, i cili u vendos në hetim pa asnjë fakt, për transferta të rregullta bankare, për të cilat pas hetimit, Prokuroria nuk ngriti dot padi, sepse Fazlliç kishte kryer çdo gjë sipas ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, dhe kishte si faj të vetëm se ai, me Kompanine BGR, kishte këshilluar mua ne fushatën elektorale të vitit 2005, nga e cila ish-komunistët humbën”.

Për berishën akuzat e ngritura ndaj tij janë shpifje dhe sikundër në rastin e vendimit Blinken tha se edhe në qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar qëndron George Soros.

“Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje”.

Implikon në këtë vendimmarrje jo vetëm Edi Ramën, por edhe Lulzim Bashën.

“Absolutisht po”!

Tha se do ta vijojë betejën ligjore pasi të konsultohet me avokatët e tij, duke ftuar autoritete britanike të vënë në dispozicion provat që e implikojnë atë.

“Ftoj autoritete britanike të dorëzojnë pranë organeve të drejtësisë të vendit të tyre, dhe pranë organeve të drejtësisë në Shqipëri, çdo fakt, provë apo dokument që disponojnë, ata ose kushdo tjetër, për akuzat që kanë ngritur kundër meje. Për të gjitha këto shpifje, unë do konsultohem me ekspertë për hapat ligjorë që do të ndërmarr për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin tim dhe të vendit tim, për aq sa unë e përfaqësoj.”

Berisha tha se do të vijojë të qëndrojë në krye të Partisë Demokratiike, duke thënë se në këtë betejë është për dinjitetin e demokratëve.

“Unë po nderoj demokratët dhe vendin se po luftoj për dinjitetin e shqiptarëve. Jam i inkurajuar për një mbështetje në rritje nga ana e tyre”.

I dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach njoftoi se Britania e Madhe kishte ndërmarrë veprime për 27 persona, mes të cilëve edhe disa shqiptarë, ndërsa ambasadori britanik Alstair King Smith tha në një intervistë për Tv Klan se emrat nuk do të publikoheshin.