Klubi i Volejbollit Shkëndija krahas garave me ekipin e parë në elitën e volejbollit të Maqedonisë, vëmendje të konsiderueshme i kushton edhe shkollës me moshat e reja ku si qëllim kryesor kanë krijimin e lojtarëve të ri që në të ardhmen do të mbajnë peshën e ekipit senior të kuqezinjëve. Si rezultat, nuk mungojnë talentet që rriten te Shkëndija dhe padyshim se një ndër ta është edhe Berin Osmani. Djalosh shembullor, fjalë pak e shumë punëtorë, qoftë në procesin arsimor ashtu edhe atë stërvitor te klubi i volejbollit. Një shpresë e madhe e volejbollit tetovar dhe jo vetëm. Rezultat i paraqitjeve të shkëlqyeshme me Shkëndijën është ftesa nga ekipi përfaqësues i Maqedonisë së Veriut për moshën nën 18 vjeç.
Lajmin për ftesën e arritur në adresë të klubit dhe lojtarit e konfirmon Shkëndija përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Lojtari ynë Berin Osmani, është ftuar në kombëtaren U-18 të Maqedonisë së Veriut për eliminatorët e kampionatit europian në kuadër të CEV që do të mbahen në datat 17.01-21.01 2024 në Strumicë.
Suksese Berin!” – shkruan në postimin e KV Shkëndija.
E ndërkohë ftesa në përfaqësuese duket se ka sjellë satisfaksion të madh për punën që bëjnë te Berini dhe familja e tij, pasi babai i lojtarit, Mevlani, nuk ka fshehur kënaqësinë për vlerësimin e fituar nga i biri i tij.
“Një lajm i mrekullueshëm! Berin Osmani, biri jonë, është ftuar nga Reprezentacioni i Maqedonisë në Voleyball U-18. Kënaqësia e jona është e pafund.
Suksese të mëdha për Berin’in në këtë sfidë ndërkombëtare! #KrenariFamiljare 🌟🏐”- shkruan në Facebook babai i Berinit, Mevlan Osmani.