Bëri vazhdimisht thirrje për bartjen e maskës, humb jetën nga coronavirusi mjekja amerikane

Një mjeke nga Kentucky e cila bënte thirrje për bartje të maskës që nga shpërthimi i pandemisë së coronavirusit, ka humbur jetën nga kjo sëmundje pas katër muajve betejë, shkruan CNN. Rebecca Shadowen, 62-vjeçe ka ndërruar jetë më 11 shtator në qendrën medicinale në Bowling Green të Kentucky, ku edhe punoi si mjeke për shumë vite.

Ajo ishte specialiste e sëmundjeve infektive dhe punonte si epidemiologe, dhe ndihmoi në krijimin e njësisë së veçantë që luftonte pandeminë e coronavirusit.

Ajo së bashku me 200 mijë amerikanë kanë humbur betejën nga COVID-19. Në anën tjetër bashkëshorti i saj, mjeku David Shadowen dhe dy fëmijët e tyre binjakë Kathryn dhe Jesse, 23-vjeç, janë shfaqur në një emision të CNN ku u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm.

Rebecca që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit u kishte bërë thirrje qytetarëve të bartin maska si preventivë kundër COVID-19. Por, duket se kontakti i vazhdueshëm me të infektuarit bëri që edhe ajo të preket nga kjo sëmundje, të cilës nuk i mbijetoi pas katër muajve betejë.