“Bëri shenjën e shqiponjës”, Miss Serbia largohet nga gara


Miss Interkontinental Serbia Valentine Petroviç, ka pozuar duke bërë simbolin e shqiponjës dy-krenare, teksa qëndronte pranë Miss Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.

Kjo foto ka “shpërthyer” në rrjetet sociale duke shkaktuar reagime të shumta nga serbët, shkruajnë mediat atje.

“Vajza në të majtë, Valentina Petroviq. Përfaqësuese e Serbisë? Jo përfaqësuese pa mend në kokë”, – thuhet në mbishkrimin e një faqen të Instagramit.

Duke dashur të justifikohet, Miss-i ka postuar një deklaratë në Instagram ku kërkon mirëkuptimin e njerëzve për pamaturinë e saj në atë që ajo thotë se është një “situatë spontane”.

“Në një vrull euforie për festën, më ftuan të bëja një foto, qëndrova pranë vajzave për një kohë të shkurtër dhe ata më vunë duart se si të pozoja, nuk kisha qëllime të këqija, ishte një pakujdesi momentale dhe budallallëk, spontanitet”, – ka shkruar Miss-i, duke u kërkuar falje të gjithëve për të cilët ajo ofendoi dhe i siguroi njerëzit se ajo ende e do vendin e saj pavarësisht kësaj ngjarje.

“Dua t’u kërkoj falje pjesëtarëve të kombit tim, kompanisë sime, familjes sime, të cilët janë hutuar për shkak të fotos, pamaturisë sime dhe rënies në grackën e qëllimeve të këqija të dikujt tjetër”, – ka vazhduar shpjegimin e saj Miss Serbia.

“Mora vendimin t’u kërkoj organizatorëve leje për t’u larguar nga gara dhe kështu të çlirohem nga presioni që kam aktualisht. Më vjen shumë keq për këtë, por gjithçka ndodhi në mënyrë të pamatur”, – ka thënë më tej ajo.