Berat Buzhala: Nëse fiton Rama, ne do të ikim


Luli mund të flejë disa orë më tepër sesa Rama, mirëpo problemi është saktësisht këtu. Rama, kur del në punë, kur zgjohet herët, kur shkon nga një cep i Shqipërisë në tjetrin cep të saj, ai këtë nuk po e bën për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ai këtë po e bën për pesë-gjashtë njerëz. Sa më shumë që punon Rama, aq më keq për shqiptarët. Atij duhet t’i ndalohet puna. Të dielën.

Nga Berat Buzhala
Mundësia e ndryshimit të pushtetit, apo e vazhdimit të pushtetit, është vazhdimisht ngjarje interesante, por shpeshherë i tejkalon kornizat e një ngjarjeje thjesht dhe vetëm interesante dhe shndërrohet në një ngjarje për jetë a vdekje. Rënia e komunizmit në Evropë, që si datë simbolike e ka rënien e Murit të Berlinit, në jug dhe në lindje të “kontinentit të vjetër” i kishte sjellë demokracinë, zgjedhjet e lira dhe ekonominë e tregut të lirë. Entuziazmi ishte i madh. Masat popullore i kishin vërshuar rrugët dhe e kishin përqafuar lirinë. Presioni i madh e kishte detyruar edhe Partinë e Punës së Shqipërisë, e cila për 47 vjet e kishte shndërruar këtë vend në burg, që gradualisht të tërhiqej.

Kështu, më 31 mars të vitit 1991 ishin organizuar zgjedhjet e para, demek të lira. Në njërën anë PPSh-ja dhe në anën tjetër PD-ja e Sali Berishës. Në zgjedhje kishin marrë pjesë 99 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Kushedi për çfarë arsye kishte munguar ai 1-përqindëshi. Po shpresoj që kanë arritur ta justifikojnë mungesën e tyre. Kur u hapën kutitë e votimeve, u pa që përpjekja e parë kishte abortuar. Mbi 60 për qind e atij 99-përqindëshit të banorëve të shkretë dhe të varfër u tha që e votuan partinë që për disa dekada i kishte dehumanizuar.

“Me fitoren e zgjedhjeve të 31 marsit 1991, PPSh-ja tregoi se komunistët i do populli dhe se ata e duan popullin, ndaj ju them se, me këtë fitore, PPSh-ja do ta vazhdojë rrugën e Enverit dhe të lulëzimit të vendit e begatisë së popullit, duke shkuar nga fitorja në fitore, por duke u përshtatur me modelin e ri ekonomik”, kishte thënë pas kësaj fitoreje kreu i regjimit diktatorial, Ramiz Alia.

Shqiptarët e dinin që kjo kishte qenë një farsë ose vetëm një hyrje në demokraci, që gjithashtu brenda vetes i ka mashtrimet. Brenda një viti ishte përmbysur ky rezultat dhe në Shqipëri ishte rrëzuar regjimi më i egër në Evropë dhe ndoshta në botë. Kishte triumfuar demokracia.
Do të ishte ekzagjerim i tepruar, nëse do të thoshim që kryeministri aktual, Edi Rama, është një diktator. Ose edhe nëse do të thoshim që Shqipëria e sotshme po jeton aq keq sa ka jetuar në atë kohë. Jo. Shqipëria nominalisht është vend i lirë. Nominalisht ka demokraci. Ka zgjedhje të lira. Ka edhe liri të shprehjes.

Mirëpo ka shumë pak.
Ka aq pak, sa sot, bie fjala, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka hedhur poshtë një urdhër të motivuar politikisht të organeve të drejtësisë shqiptare për t’ia konfiskuar pajisjet gazetës së rrallë opozitare në Shqipëri, “Lapsi.al”, që ditëve të fundit i kishte publikuar me emër dhe mbiemër zyrtarët e Partisë Socialiste që po i mbikëqyrnin rreth 900 mijë votues. Kryeministri Rama, jo vetëm që nuk ishte turpëruar prej këtij skandali, por ishte hedhur në fushatë fyerjesh dhe ofendimesh ndaj çdokujt që aktin e mbikëqyrjes e konsideronte jodemokratik. Fatkeqësisht, gjendja për Ramën mund të jetë edhe më e rëndë. Ka mundësi që ai është verbëruar aq shumë, sa edhe beson në këto që i thotë. Vizitat e shpeshta në Ankara dhe në Stamboll ia kanë deformuar krejtësisht konceptet për demokracinë.

Demokracia ose funksionon si tërësi, ose nuk funksionin fare. Kur bie njëra shtyllë e saj, bien edhe të tjerat. Pra, në Shqipëri ka treg të lirë, por ai funksionin sipas modelit rus. Janë Edi Rama dhe pesë a gjashtë oligarkët e tij që e ridefinojnë ekonominë. Ata e përcaktojnë ofertën dhe kërkesën, ata i përcaktojnë kushtet e tregut dhe pjesëmarrësit e tjerë brenda tij. Brenda këtij tregu ka liri ekonomike aq sa e lejojnë Qeti dhe Zamiri, kurse ka liri të shprehjes aq sa e lejojnë Sandri e Blushi. Për t’u bindur që është kështu, mjafton që të shkojmë deri në Dhërmi, një bukuri e pashoqe në këtë cep të Evropës. Në hyrje të fshatit janë dy rrugë, njëra që të çon në drejtim të një fshati, le ta quajmë i Potemkinit, ku gjatë verës, elita politike dhe ekonomike shqiptare i kalon pushimet, kurse tjetra të çon te qytetarët vdekatarë shqiptarë. Edi Rama dhe qeveria e tij shumë më shumë kanë investuar në këtë fshatin elitar, duke shtruar rrugë të gjera dhe të bukura, duke i realizuar investimet e nevojshme infrastrukturore, sesa, bie fjala, në pjesën ku jetojnë banorët normalë të fshatit, ata që muajin e mbyllin me 300–400 euro. Rama është i bindur që votat në fshat e ka më te lehtë t’i blejë, nëse investon te oligarku i tij. Është ky i fundit pastaj që kujdeset për ditën e zgjedhjeve. Pra, kjo është një demokraci “sui generis”. Është e manifakturuar për nevoja të veçanta. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë për të cilën shqiptarët ishin ngritur në këmbë në vitet 1991 dhe 1992, por edhe në vitin 1997, kur Sali Berisha po impononte, gjithashtu, një model personal.

Kur liria e shprehjes mungon, kur mungon edhe tregu i lirë, nuk ka se si të ketë as zgjedhje të lira. Zgjedhjet e lira, nëse do të kishte, do t’i sanonin këto deformime, kurse në rastin konkret deformohen edhe vetë zgjedhjet e lira. Ato korruptohen dhe shndërrohen në një farsë, për ta mbajtur në këmbë piramidën kriminale. Këtu vdes demokracia. Ajo në Shqipëri ka vdekur. Të gjithë parametrat e tregojnë këtë. Shqipëria ka shënuar rënie në çdo indeks të organizatave më renome ndërkombëtare. Në katër vitet e fundit, Shqipëria është bërë një vend më pak i lirë, në të gjitha fushat.

Normalisht, politikanë si Rama, Orbani, Erdogani, Vuçiqi dhe Putini, më me dëshirë do t’i anulonin zgjedhjet tërësisht, do t’i mbyllnin gjithashtu të gjitha mediet, përveç atyre shtetërore, sepse më nuk besojnë ne to. Mirëpo ata e dinë mirëfilli se një gjë e tillë i mban shumë më shkurt në pushtet. Sikur hajnat ordinerë që vazhdimisht i përmirësojnë mënyrat e tyre të veprimit, varësisht nga nevojat, në shekullin XXI edhe autokratët i kanë ndryshuar taktikat e punës. Më mirë shumë medie të kontrolluara sesa pa medie. Më mirë një ekonomi “e lirë” e kontrolluar sesa një ekonomi e centralizuar. E patjetër, më mirë zgjedhje të blera dhe të korruptuara sesa pa zgjedhje fare ose zgjedhje ku marrin pjesë 99 për qind e trupit elektoral. Mediet e korruptuara, në ditën e nesërme të zgjedhjeve, do të kujdesen që t’i shpallin zgjedhjet të lira dhe demokratike. Qarku dhe logjika janë të tilla.

Në 20 vitet e fundit kam marrë pjesë në shumë palë zgjedhje, në shumë vende. Pa dyshim që në të gjitha këto raste, pak përpara ditës së zgjedhjeve shtohet interesimi për të ditur nëse do të këtë ndërrim të pushtetit apo nëse do të këtë vazhdim të tij. Kurse në Shqipëri, më shumë sesa interesimi dhe kureshtja, është shtuar ankthi. Pyetja më e shpeshtë që më është bërë gjatë kësaj jave, në Tiranë, në Vlorë (madje edhe në Vlorë) dhe në vende të tjera ku kam qenë, ishte “a do të fitojë prapë Ky”. Mënyra se si shtrohej kjo pyetje ishte shqetësuese. Kishte frikë brenda saj.

Një votues i Partisë Socialiste në Vlorë më tha që “shumë njerëz po thonë se do të ikin nga Shqipëria, nëse Ky fiton prapë”. “Po pse”, e pyeta. “Janë të frustruar me mënyrën se si Rama dhe e gjithë Shqipëria po punon vetëm për shërbimin e pesë-gjashtë vetave”. Ai që po më fliste kështu më thoshte që ka votuar për Partinë Socialiste gjatë gjithë jetës së tij, por që tash ishte në dilema. “Unë, nëse votoj në këto zgjedhje, nuk votoj për opozitën, por votoj kundër Ramës”. Gjatë tri ditëve të fundit, unë takova shumë të tjerë që ishin saktësisht të kësaj mendjeje, që do të votojnë nga revolta e jo se alternativa është e jashtëzakonshme. Luli mund të flejë disa orë më tepër sesa Rama, mund të dalë më vonë në punë sesa Rama, mirëpo problemi është saktësisht këtu. Rama, kur del në punë, kur zgjohet herët, kur shkon nga një cep i Shqipërisë në tjetrin cep të saj, ai këtë nuk po e bën për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ai këtë po e bën për pesë-gjashtë njerëz. Sa më shumë që punon Rama, aq më keq për shqiptarët. Mënyra e vetme për ta shpëtuar Shqipërinë është që Ramës t’i ndalohet puna me ligj. Shqipëria është në një gropë, kurse Rama po vazhdon ta thellojë atë gropë edhe më tutje. Ai de fakto po punon, por po punon negativisht.