Ben-Meir: Kurti po bën gabim të madh, ky është mesazh i qartë se ku qëndron ai në strategjinë gjeopolitike

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben-Meir, vlerëson se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bëri gabim të madh kur i premtoi Turqisë se do ta shqyrtojë vendimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem. Ben-Meir tha se ky veprim i Kurtit tregon se ku qëndron Kurti kur bëhet fjalë për strategjinë gjeopolitike.

“Albin Kurti po bën një gabim të madh duke e lavdëruar Erdoganin, diktatorin e pamëshirshëm i cili është i përqëndruar në përhapjen e agjendës së tij islame në gjithë Ballkanin. T ‘i premtosh Turqisë se ′′vendi ku do të gjendet ambasada e Kosovës në Izrael është për t’u konsideruar′′, është mesazh i qartë se ku qëndron Kurti kur bëhet fjalë për strategjinë gjeopolitike – ky është një hap i gabuar”, shkroi ai.

Ben-Meir tha se në vend të kësaj, Albin Kurti do të duhej t’i hetonte marrëveshjet e dyshimta të nënshkruara nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, siç thotë ai, i ka dhënë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan kontroll mbi pasuritë kryesore të Kosovës.

“Në vend të kësaj, Kurti duhet të kërkojë hetim për marrëveshjet e dyshimta që ka nënshkruar ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili i ka dhënë kontrollin mbi pasuritë kryesore të shtetit Erdoganit. Nëse Kurti me të vërtetë dëshiron ta luftojë korrupsionin, kjo është mundësia e tij për ta filluar”, ka shkruar Ben-Meir.