Belbëzimi tek fëmijët, logopedi Spiro Saqellari në Report Tv: Ja rastet kur duhet të kthehet në shqetësim për prindërit



Për shkak se gjuha dhe e folura zhvillohen me shumë shpejtësi gjatë fëmijërisë së hershme, mund të jetë e vështirë për prindërit që të kuptojnë se cilat modele të të folurit janë tipike dhe cilat jo. Shpesh janë para dilemës nëse belbëzimi është pjesë normale e rritjes dhe zhvillimit të fëmijës. Në një intervistë në emisionin ‘’Rreze Dielli’’ në Report Tv, logopedi Spiro Saqellari sqaroi disa çështje të rëndësishme për mosrrjedhshmërinë dhe belbëzimin e fëmijës.

“Është një çrregullim i ritmit të prurjes së fjalëve por vetëm në dukje sepse në brendësi të tij është një çrregullim psikologjik, psiqik, social dhe afektiv që prek të gjithë jetën e fëmijës. Belbëzimi fillon në moshën 2.5 vjeç-3.5 vjeç dhe në këtë moshë quhet fiziologjik. Mosrrjedhshmëria është një fazë të cilën e kalojnë pothuajse shumica e fëmijëve, është një periudhë kur fëmija nuk është ende i aftë ta nxjerri mendimin e tij me fjalë sepse edhe organet që marrin pjesë në të shqiptuar nuk janë pjekur. Zgjat zakonisht 2-3 muaj” u shpreh ai.