Bekteshi u takua me Kryepeshkopin Stefan: “Mbështetje nga komunitetet fetare për të inkurajuar qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike”

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot ka zhvilluar takim me kreun e Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvisë së Ohrit, Kryepeshkopin e Ohrit dhe Maqedonisë, z. Stefanin. Në takim u bisedua për krizën energjetike që ka prekur jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe mbarë Evropën, si dhe për masat e ndërmarra nga Qeveria për përballimin më të lehtë të saj. Ministri Bekteshi e njoftoi kreun e KOM-it për masat dhe rekomandimet e Qeverisë për kursimin e energjisë elektrike për institucionet, amvisëritë dhe biznesin.

“Situata me krizën energjetike me të cilën po përballemi është e rëndë dhe apelojmë që të gjithë qytetarët të kontribuojnë në mënyrën e tyre për ta kaluar më lehtë periudhën e ardhshme. Mbështetja e komuniteteve fetare në vend është e rëndësishme për ne për të sensibilizuar qytetarët në këtë periudhë të vështirë që po vjen për të kursyer së bashku energjinë elektrike duke ndihmuar vendin. Nëse ka mungesë të energjisë elektrike, do të duhet të blihet nga jashtë me një çmim shumë më të lartë dhe kjo do të jetë sërish në kurriz të të gjithë qytetarëve”, tha ministri Bekteshi.

Nga ana tjetër, Kryepeshkopi Stefan deklaroi se “Kisha u ka bërë thirrje të fuqishme besimtarëve të saj që në këto kohë të vështira të tregojnë shqetësim për të mirën e përbashkët dhe në seancën e radhës të Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve, që do të mbahet javën e ardhshme, zyrtarisht do të thirren të gjithë meshtarët në nivel lokal, në famullitë e tyre, për t’iu treguar besimtarëve të KOM-it për masat për kursimin e energjisë elektrike, sepse vetëm kështu do të ndihmojmë veten, por edhe vendin tonë në tërësi”.

Të dy ranë dakord se është e rëndësishme që të gjithë të përdorin energjinë elektrike në mënyrë racionale gjatë kësaj periudhe dhe dërguan mesazh që në këtë krizë të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi dhe të kursejmë. Të mos harxhojmë energji elektrike pa nevojë, të kuptojmë kohën në të cilën jetojmë sepse askush nuk mund të na ndihmojë në kohë krize.