Bekteshi takon delegacionin e biznesit gjerman: U prezantuan mundësitë për investime


Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot ka zhvilluar takim me delegacionin e biznesit gjerman që shoqëron presidentin gjerman Frank Walter Steinmeier, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ministri Bekteshi para kompanive gjermane prezantoi mundësitë për investime në energji, kryesisht në burimet e rinovueshme të energjisë që rrjedhin nga Ligji për Energjetikë si dhe Ligji për Investimet Strategjike.

Ministri theksoi se edhe përkundër krizës energjetike që preku jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe mbarë Evropën, zhvillimi dhe investimet në sektorin energjetik është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë me synim kryesor sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji, si dhe duke shkuar drejt një ekonomie të gjelbër.

“Qëllimet kryesore të politikës energjetike të Maqedonisë së Veriut janë tërheqja e investimeve për ndërtimin e kapaciteteve energjetike dhe rritja e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përkatësisht investimi në energjinë e gjelbër që do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit, jetës dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike, tha ministri Bekteshi dhe shtoi se vendi tashmë ka miratuar Strategjinë e Zhvillimit të Energjetik deri në vitin 2040, si një nga dokumentet strategjike më të rëndësishme për vendin tonë në fushën e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Maqedonia e Veriut dhe Republika Federale e Gjermanisë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer bilateral mes dy vendeve, i cili është në rritje të vazhdueshme. Gjermania është partneri i parë dhe më i madh ekonomik i Maqedonisë së Veriut, e cila eksporton rreth 45% të totalit të eksporteve të saj në Gjermani.

Rreth 200 kompani në Maqedoninë e Veriut janë kompani gjermane, përfshirë WPD, e cila investon rreth 500 milionë euro në një termocentral me erë në Kumanovë – Kriva Pallankë, dhe që paraqet një hap serioz në prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Delegacioni i biznesit, i cili përfshin përfaqësues të disa kompanive, institucioneve shtetërore dhe bankave gjermane, udhëhiqet nga Stefan Wenzel, Sekretar Parlamentar i Shtetit nga Ministria Federale e Ekonomisë dhe Klimës, dhe Dr. Johannes Schäube, këshilltar dhe drejtues i departamentit të ekonomisë në zyra e presidentit gjerman..