Bekteshi porositi gazetarët maqedonas: Mësoni gjuhën shqipe!

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, e ka filluar në gjuhën shqipe konferencën e sotme për media, që u mbajt në Qeveri.

Për të respektuar, siç është shprehur, etninë më të madhe në vend, para gazetarëve ai foli edhe në gjuhën maqedonase. Gazetarët e pyetën përse nuk e ka filluar konferencën në gjuhën maqedonase, siç ka bërë deri tani, por ministri Bekteshi i porositi ata që të mësojnë gjuhën shqipe.

“Gjuha shërben për t’i afruar njerëzit, me rëndësi është që të kuptohemi dhe secila gjuhë është vlerë e shtuar, dhe kështu do të ishte edhe për ju si gazetar, duke pasur parasysh se ka shumë funksionarë dhe kolegë tuaj që flasin atë gjuhë. Meqë për herë të dytë ma parashtroni këtë pyetje, kjo ishte edhe në javët e para pasi u miratua ligji për Gjuhët”, tha Bekteshi.