Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në një dalje për media, bëri të ditur se nga sot 11 mars e deri më 20 mars do të ndalohet eksporti i disa produkteve bazë ushqimore. Ministri Bekteshi theksoi se prioriteti i çdo qeverie është mbrojtja e standardit të qytetarëve dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik.
“Dua t’Ju informoj se me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Qeveria në seancën e mbajtur dje mori vendim për kufizimin e eksportit të mallrave të caktuara me qëllim që të shmangen veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve dhe për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore, tregut vendor dhe qytetarëve. Në përputhje me Vendimin, nga sot 11 mars, e deri më 20 mars, respektivisht në kohëzgjatje prej 10 ditëve ndalohet eksporti i produkteve si vijon: grurë dhe thekër, elb, misër, miell nga gruri dhe thekër, farë luledielli dhe vaj nga fara e lulediellit”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.