Bekteshi: Nëse ka parregullsi në importimin e mazutit të dyshimtë, dokumentet do t’ia dorëzojmë Prokurorisë Publike

Për momentin jemi duke mbledhur të gjitha informatat për importin dhe shpërndarjen e mazutit të dyshimtë dhe kur do t’i kemi të gjitha të dhënat do ta informojmë publikun. Nëse të gjitha procedurat nuk janë realizuar në përputhje me rregulloren për cilësinë e karburanteve të lëngëta dhe procedurat për importin e derivateve të naftës, do t’ia dorëzojmë dokumentet Prokurorisë Publike, njoftoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Pastaj, konform ligjeve, Prokuroria Publike do të ngrit procedura përkatëse”, tha Bekteshi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve përpara promovimit të projektit “Platforma kombëtare për sipërmarrësi të grave”.
Theksoi se menjëherë pasi u botua hetimi i IRL, në koordinim me Kabinetin e zëvendëskryeministrit Lupço Nikollovski, kanë përgatitur konkluzione në Qeveri, të cilat, siç tha ai, tashmë janë miratuar.

“Të gjitha institucionet, duke filluar nga Administrata Doganore dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, Ministria e Ekonomisë, Inspektorati i Mjedisit janë të detyruar të paraqesin të gjitha informatat brenda afateve të parashikuara në përputhje me konkluzionet”, tha Bekteshi.

Të gjitha rregulloret e Ministrisë së Ekonomisë, shtoi ai, janë plotësisht të harmonizuara me kërkesat e Komisionit Evropian dhe Bashkësisë energjetike edhe në pjesën e squfurit edhe në pjesën e karakteristikave të tjera , të cilat kontrollohen në përputhje me standardin maqedonas MKS X 430.
“Nuk është vetëm një parametër që duhet të kontrollohet, por janë shtatë ose tetë”, specifikoi Bekteshi.