Bekteshi në Forumin Ekonomik Delfi: “Menjëherë pas fillimit të krizës në Ukrainë, Qeveria e RMV-së miratoi pakon prej 26 masash kundër krizës me vlerë 400 milionë euro”

Kriza në Ukrainë ka pasur një ndikim të fortë në ekonominë globale dhe në standardin jetësor të miliona qytetarëve në mbarë botën, dhe Maqedonia e Veriut nuk është përjashtuar nga efektet negative të konfliktit. Vetëm dy javë pas fillimit të krizës në Ukrainë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një pako prej 26 masash kundër krizës me vlerë 400 milionë euro për të zbutur presionet e çmimeve nga kriza energjetike dhe rritja e çmimeve të ushqimeve në tregjet botërore, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Delphi që po mbahet në qytetin Delphi të Republikës së Greqisë.

Në panelin me titull “Si ndikon kriza në Ukrainë në ekonomitë e rajonit”, ministri Bekteshi iu referua efekteve negative të shkaktuara nga kriza në ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe reagimit të shpejtë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të trajtuar shpejt dhe në mënyrë efektive goditjet e pashmangshme të çmimeve.
Ministri Bekteshi potencoi se edhe pse shkëmbimi tregtar i Maqedonisë së Veriut me Rusinë nga tregtia e përgjithshme e vendit është rreth 1%, kurse tregtia me Ukrainën është rreth 1.5%, që do të thotë se konflikti nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në bilancin tregtar, por kriza e përhapur në tregjet evropiane, të cilat vendi ynë realizon shkëmbimin më të madh tregtar ka një ndikim të madh në ekonomi.

“Investimet në diversifikimin e energjisë janë shumë të rëndësishme për të reduktuar varësinë nga gazi rus. Maqedonia e Veriut tashmë është duke ndërmarrë aktivitete për realizimin e projekteve të tilla, në radhë të parë ndërtimin e interkonektorit për gaz natyror me Greqinë. Kjo do të sjellë stabilitet dhe siguri më të madhe energjetike për të gjithë rajonin. Por konflikti në Ukrainë është një mësim për Bashkimin Evropian dhe ky është se integrimi i shpejtë i Ballkanit në Bashkimin Evropian është i nevojshëm për prosperitetin e të gjithë rajonit”, shtoi Bekteshi.

Ministri Bekteshi bëri të ditur se për t’u përballur me krizën e përhapur, masat e para në Maqedoninë e Veriut u morën verën e kaluar kur TVSH-ja e energjisë elektrike u ul nga 18% në 5%, pastaj në fund të vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022 u miratuan masa për mbështetjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike me mjete buxhetore direkte nga 171. milionë euro.

“Më pas kemi marrë masa për ngrirjen e çmimeve të ushqimeve bazë dhe për rrjedhojë për të kufizuar marzhet e shitjeve në tregti. Dy javë pas fillimit të krizës ruso-ukrainase, dolëm me një pako prej 26 masash, të cilat synojnë të mbrojnë standardin e jetesës së qytetarëve dhe të mbështesin ekonominë. Vlera e pakos së fundit të masave llogaritet rreth 400 milionë euro, por nëse merren parasysh masat e mëparshme të ndërmarra nga qeveria vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti, shuma që është ndarë deri më tani për të zbutur goditjet e çmimeve tek qytetarët është 615 milionë euro”, potencoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në Forumin Ekonomik Delphi në Greqi.

Në masat anti-krizë që ne kemi ndërmarrë, siç theksoi Bekteshi, ka masa tatimore, mbështetje financiare për kategoritë vulnerabël, kufizime administrative që do të ndikojnë në çmime dhe masa të kursimit të energjisë.
“Zbatimi i këtyre masave do të amortizojë rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, do të mbështesë kompanitë dhe do të ndikojë edhe në efikisasitet më të madh të energjisë”, tha Bekteshi.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në Forumin Economik Delphi në Greqi, ndër të tjera tha se Qeveria është në komunikim të rregullt me vendet fqinje në Ballkan për shkak të lidhjes së ekonomive për të koordinuar politikat e ndërmarra për përballimin e krizës në fushën e ofrimit të produkteve ushqimore bazë.
Në fund, Bekteshi shtoi se edhe përkundër pritjeve për stabilizim të ekonomisë pas masave të marra nga Qeveria, pasiguria në periudhën e ardhshme mbetet.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet dhe në koordinim të plotë me të gjitha palët e interesuara do të vazhdojmë të marrim masa për të shmangur goditjet e mëdha të çmimeve”, tha Bekteshi.
Në panel, ministri Bekteshi debatoi për ndikimin e krizës ukrainase në rajon me Joanis Smirlis, Sekretar i Përgjithshëm për Çështjet Ekonomike Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Galina Andronova Vinçelet, Drejtoreshë e Bashkimit Evropian, Bankës Botërore, Dejan Shoshkiç, Profesor i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Beogradit, moderuar nga Toplica Spasojeviç nga Shoqata Serbe e Ekonomistëve.