Bekteshi: Ka një rritje të bashkëpunimit tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, po realizon një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me homologen e tij Delina Ibrahimaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat pas takimit, Ibrahimaj dhe Bekteshi u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit midis dy vendeve në disa fusha, ndikimet në ekonomi të luftës Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.

-“Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Ibrahimaj, ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë marrëdhënie bilaterale shumë të mira të cilat sipas saj janë përforcuar nga viti në vit.

“Në fakt, në kuadër të nismës Ballkani i Hapur ne kemi marrë disa vendime për lehtësimin e tregtisë, për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe të punës. Kemi në plan të vijojmë të lehtësojmë të gjitha procedurat në mënyrë që t’i shërbejmë një tregu të përbashkët, t’i shërbejmë një stabilizimi më të mirë të ekonomive dhe qëndrueshmërisë ekonomike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo shtoi se kanë vendosur që të marrin të gjitha ato hapa që më tutje do të lehtësojnë integrimin në Bashkimin Evropian, si në kuadër të nismës “Ballkan i Hapur”, ashtu edhe në kuadër të marrëveshjeve të tjera.

Ibrahimaj tha se nesër Republika e Maqedonisë së Veriut do të marrë një vendim të rëndësishëm, i cili do të çelë sipas saj eksportet e vajit të lulediellit për Shqipërinë.

– “Maqedonia e Veriut përkrah çdo iniciativë e cila do ta lehtësojë shkëmbimin tregtar”

Ministri Bekteshi theksoi se ka një rritje të bashkëpunimit tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kemi pasur bashkëpunim shumë të frytshëm me Republikën e Shqipërisë edhe në të kaluarën, por me siguri që edhe këtë periudhë të krizës edhe nga aspekti energjetik, por edhe ekonomik. Kemi ndarë eksperiencat midis dy vendeve si dy vende fqinje, me të vetmin qëllim që sa më lehtë ta ballafaqojmë këtë krizë e cila në rajonin e Ballkanit Perëndimor është krizë e importuar për shkak të invazionit rus ndaj Ukrainës dhe faktorët e brendshëm të krizës janë minimale apo pothuajse nuk ekzistojnë”, tha ai.

Bekteshi theksoi se Maqedonia e Veriut përkrah çdo iniciativë e cila do ta lehtësojë shkëmbimin tregtar midis dy vendeve, do ta rrisë aktivitetin e ekonomik midis dy vendeve tona me të vetmin qëllim sipas tij “që të ndikojmë në rritjen ekonomike, por njëkohësisht edhe në rritjen e standardit jetësor”.

Ministri Bekteshi tha se në ditët në vijim do të ketë edhe takime të tjera mes dy vendeve në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, sipas tij për tema të cilat kanë të bëjnë me thithjen e investimeve dhe me promovimin e turizmit.