Bekteshi: Gjithsej 117,122 qytetarë do të shkojnë në pushime

Të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe platforma “Shtëpia është shtëpi” ka nisur zyrtarisht, duke filluar kështu masën për lëshimin e kuponave për turizmin vendas, tha Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp.

– Do të bëjmë të mundur që gjithsej 117,122 qytetarë me të ardhura të ulëta të shkojnë në pushime. Kjo masë do të ndihmojë zhvillimin e të gjithë turizmit në vend duke vizituar disa vende në shtet që nuk janë zhvilluar dhe nuk ishin të njohura. Më shumë se 10 milion euro janë ndarë për turizmin në vend. Që nga sot, platforma “Shtëpia është shtëpi” ka nisur zyrtarisht, duke filluar kështu masën për lëshimin e kuponëve për turizmin vendas. Lista e fundit tashmë është postuar në faqen e internetit, ku të gjithë fituesit do të jenë në gjendje të kontrollojnë nëse janë në listë apo jo. Lista përfshin të gjithë qytetarët e punësuar që kanë të ardhura deri në 15,000 denarë në muaj, pra punonjësit që nuk kanë fituar të ardhura më të larta se 60,000 denarë në periudhën nga janari deri në prill të këtij viti. Këta qytetarë do të marrin një kupon prej 6,000 denarëve të cilin do të mund ta përdorin në mjediset turistike vendase. Ata do të marrin gjithashtu një kartë pagese prej 3,000 denarëve nga masa “Blej në shtëpi” – tha Bekteshi.

Ai sqaroi se qytetarët në listë do të marrin kuponat për turizëm me postë elektronike dhe nuk kanë nevojë për një aplikim të veçantë. Ministri shtoi se secili kupon përmban një kod të veçantë dhe një kod pin.