Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi përmes një postimi në rrjetin e tij social në fejsbuk ka dhënë një lajm të mirë për qytetarët.
Ai ka paralajmëruar se në dhjetë ditët e ardhshme pritet ulje e çmimeve të produkteve ushqimore bazë prej 5-12%.
Gjithashtu, nëse lëndët e para mbeten me të njëjtat çmime të importit, nga 1 dhjetori priten ulje më të mëdha të çmimeve.
Ja postimi i ministrit Bekteshi:
“#Kujdesemi
ULJE E ÇMIMEVE
Në dhjetë ditët e ardhshme presim ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë prej 5-12%.
Fillimisht, presim ulje të çmimeve të qumështit dhe produkteve të qumështit në 3-4 ditët e ardhshme dhe ulje të çmimeve të produkteve të mishit deri në fund të javës së ardhshme.
Nëse lëndët e para mbeten me të njëjtat çmime të importit, nga 1 dhjetori priten ulje më të mëdha të çmimeve.
Gjithashtu, nesër do të merret vendim plotësues që do të zgjerojë listën e aktiviteteve që do të mbështeten nga Qeveria në përputhje me kërkesat e Odës Ekonomike dhe i gjithë zinxhiri i industrisë së mishit do të mbulohet me energji elektrike të subvencionuar.
Janë bërë të gjitha përgatitjet në fushën e sigurimit të prodhimit të energjisë elektrike, veçanërisht për këtë dimër dhe për sezonin e ngrohjes, i cili zgjat deri në fund të muajit mars.
Ftoj konsumatorët dhe qytetarët, nëse konstatojnë se nuk ka ulje të këtyre produkteve sipas përqindjeve, të raportojnë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut”