Bekteshi do të informojë për masat nga Programi Covid 19 për mbështetjen e ekonomisë

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot në konferencë për shtyp do të informojë për realizimin e masave nga programi KOVID-19 në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas paralajmërimeve, gjatë kësaj jave duhet të funksionojë platforma operative domasiedoma.gov.mk dhe pushimenevend.gov.mk, përmes së cilës do të realizohet masa për kuponët për turizmin vendor të Ministrisë së Ekonomisë. Përmes saj, Ministria e Ekonomisë do t’i dërgojë kuponët për turizmin vendor për të gjithë qytetarët që i plotësojnë kushtet.

Me qëllim për ta inkurajuar konsumin e brendshëm dhe për ta mbështetur sektorin vendor të turizmit dhe hotelierisë, është paraparë një masë për të gjithë qytetarët e punësuar që kanë të ardhura deri në 15.000 denarë në muaj ose sipas të dhënave nga Drejtoria e të Ardhurave Publike në periudhën nga janari deri në prill 2020 nuk kanë realizuar të ardhura më të larta se 60.000 denarë.

Qytetarët do të marrin një kupon prej 6.000 denarësh që do të mund ta përdorin në objektet vendase turistike, në periudhën nga 15 korriku deri më 15 dhjetor 2020. Me këtë masë është paraparë të përfshihen mbi 130,000 qytetarë, ndërsa buxheti që disponon Ministria e Ekonomisë për ta mbështetur turizmin është gjithsej 10 milionë euro.

Paketa e tretë e masave ekonomike të miratuara nga Qeveria për zbutjen e pasojave të KOVID-19, me vlerë prej 355 milionë euro, të dedikuara për 730,000 përdorues, është duke u zhvilluar. Të papunësuarit, punëkërkuesit aktivë dhe marrësit e asistencës minimale të garantuar do të marrin ndihmë prej 9,000 denarësh, punonjës që kanë të ardhura mujore më pak se 15 mijë denarë do të marrin 3,000 denarë, gjithashtu edhe të rinjtë e moshës 16-29 vjeç.