Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi së bashku me drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski, si dhe me Viktor Andonovin, këshilltar i kryeministrit për energjetikë, sot do të realizojnë takim me njërën nga kompanitë për furnizim të gazit natyror të cilën si kontakt në Qeveri e propozoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Edhe Bekteshi, siç tha, do të marrë pjesë në takimin, i cili nuk do të mbahet në Shkup, por do të jetë jashtë vendit dhe opinioni do të informohet në detaje për bisedimet dhe ofertën. Takimi me kompaninë tjetër, për blerjen e mazutit më të lirë, për të cilin potencoi edhe Mickoski, pritet në fund të javës, më shumë gjasa në fundjavë, të shtunën ose të dielën.
“Po, ne kontaktuam me një nga kompanitë. Lidhur me kompaninë e propozuar nga Mickoski për gaz natyror, nesër është paraparë takim me drejtorin e përgjithshëm, ku do të marrim pjesë unë, kryeministri Kovaçevski dhe këshilltari i tij për energjetikë. Ne do të diskutojmë detajet. Nëse kushtet dhe oferta janë të pranueshme për EMV-në, këtë duhet ta bëjë EMV me një tregtar të gazit natyror”, theksoi Bekteshi mbrëmë në Ditarin e televizionit “Sitel”. Nga ana e Maqedonisë, theksoi ai, tashmë janë dërguar sasitë dhe nevojat, duke përfshirë edhe nevojat e TE-TO-s.
“Bëhet fjalë për një kompani të regjistruar në Evropë. Sipas njoftimeve, nesër oferta duhet të detajohet nga kompania dhe me përfundimin e negociatave do ta informojmë opinionin. Takimi nuk do të jetë në Shkup, por jashtë Maqedonisë së Veriut. Ne do të kthehemi nesër dhe opinioni do të informohet për ofertën dhe se si kanë shkuar negociatat”, nënvizoi Bekteshi. Për bisedimet me Serbinë, ai vlerësoi se janë afër marrëveshjes.
“Jemi afër marrëveshjes me Serbinë. Ne presim që pala serbe të vendosë, propozimi ynë është dërguar. Ekipi i tyre i ekspertëve duhet të informojë ministren për Energjetikë Zorana Mihajloviq dhe presidentin Vuçiq, por deri më sot, për fat të keq, nuk kemi përgjigje. Nuk do të presim, sepse po shqyrtojmë oferta të ndryshme”, deklaroi Bekteshi. Ai edhe një herë apelon qytetarët që të mos shqetësohen sepse do të ketë ngrohje dhe rrymë.
“Por kjo nuk duhet të jetë në dëm të Buxhetit. Prandaj, do të lidhet një kontratë për ofertën më të mirë. Qytetarët duhet të jenë të qetë sepse ne mund të mbulojmë 100 për qind të energjisë ngrohëse nga ngrohtoret, por nëse ngrohtorjai funksionon shpenzimet do të jenë më të vogla”, tha Bekteshi. Kriza energjetike është në fokus edhe të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut në Pragë, ku po mbahet takimi i parë i Komunitetit Politik Evropian.