Bekim Sali: Qendra e re Klinike dhe 6 spitale të reja me 0 borxhe

Ministri i Shëndetësisë nga radhët e Alternativës, Bekim Sali, theksoi se po punon me përkushtim për të arritur vendimin për Qendrën e re Klinike, e cila paralajmërohet prej 15 vitesh nga garnitura të ndryshme politike. Sali tha se një prej pengesave është tejkaluar, duke arritur konsensus politik me koordinimin e tij për lokacionin e Qendrës Klinike Universitare. Kompleksi i ri do të ndërtohet jashtë kufijve administrativ të Qytetit të Shkupit, pranë qarkores së kryeqendrës.

Financimi i këtij projekti të madh është sfida e radhës, por Sali tha se si ministri kanë propozuar një koncept financimi për ta bërë klinikën pa borxhe.

“Borxhi që duhet ta marrë shteti në banka dhe fonde të ndryshme është zero. Kjo nënkupton të bëjmë diçka të re, duke dhënë të vjetrën, diçka që është në pajtim me strategjinë ose me qëllimet nacionale për shëndetësinë deri në vitin 2030”, tha ministri Sali.

Siç njoftoi Sali, tashmë po zhvillohen koordinime mes ministrive dhe takime me biznesmenë të vendit për të parë mundësinë e realizimit të konceptit të tij.

“Sipas konceptit që e kemi bërë ne, duket e realizueshme, por kjo do të shqyrtohet në koordinim me ministritë e transportit dhe financave, si dhe me odat ekonomike në vend”, deklaroi Sali.

Qendra e re Klinike është projekti kryesor kapital i Ministrit të Shëndetësisë nga AlternAtivA, Bekim Sali, i cili synon të reformojë shëndetësinë duke realizuar projektin që nuk arritën ta nisin shumë ministra të kaluar të shëndetësisë.