Bekim Sali ministër i Shëndetësisë?

“Ende jemi në proces të bisedimeve dhe s’mundem të jap ndonjë deklaratë të prerë për shkak se gjithçka mund të ndryshon. Sikur të kishim koalicion vetëm ne me LSDM do të ishte me lehtë, por ne bisedojmë me ata, e ata duhet te koordinohen edhe me partneret tjerë qe i kane në koalicion brenda në Qeveri”, tha Bekim Sali nga AAA për TV21.

Ndonëse nga partia nuk ka asgjë zyrtare burimet thonë se lideri i Alternativës Afrim Gashi i ka kërkuar liderit të LSDM-së Zoran Zaev edhe pozitën e një zv/kryemeministri.

Nga partia informacionet as nuk i pohojnë e as nuk i mohojnë, ndërsa thonë se ende janë në negociata dhe se nuk ka ofertë konkrete.

“Aktualisht jemi duke i finalizuar principet e bashkëqeverisjes dhe përcaktimet programore. Pastaj pason pjesa e resorëve dhe politika kadrovike. Në momentin që po flasim nuk ka as ofertë, e as ndonjë kërkesë konkrete sa i takon pozicioneve që duhet t’i ketë Alternativa në qeverinë e ardhshme”, thonë nga Alternativa.

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi pas takimit të djeshëm me kryeministrin Zoran Zaev ku ishte i shoqëruar nga Sali, tha se ka marrë autorizimin nga kryesia e partisë për të nisur negociatat për tu bërë pjesë e Qeverisë,

I pyetur se cilat pozita në ekzekutiv do t’i kërkojë Alternativa si kusht për tu bërë pjesë e shumicës parlamentare, Gashi tha se pozitat nuk janë të rëndësishme.

“Nuk është punë e kërkesave tona, thamë se ne do ta dëgjojmë njëherë konceptin e tyre, ndërsa pastaj në parti do ta diskutojmë nëse përputhet koncepti ynë me konceptin e tyre, për ne është me rëndësi që të ndihmojmë që vendi të del nga kriza, por do të duhet ta shohim edhe vetveten edhe si një prej hallkave, një prej pjesëve të mozaikut që i ndihmon vendit të del nga këto kriza që përmenda”, deklaroi Afrim Gashi, lider i AAA.

Ndryshe gjatë kësaj jave pritet takim i ri mes Zaevit dhe Gashit në të cilin do të diskutohen zyrtarisht ndarja e resorëve dhe çështjet kadrovike.