Bekim Sali, kandidat për Çairin? Alternativa e pohon, por jo edhe Aleanca për Shqiptarët


Nëse komuna e Çairit i takon Alternativës për të propozuar kandidat për zgjedhjet lokale, ai do të ishte Bekim Sali, tha mbrëmë në ClickPlus Skender Rexhepi nga Alternativa.
“Unë mendoj se kur të ulen komisionet duhet të kenë për bazë, e para kandidatin, e dyta fuqia politike në vend dhe e treta balancimi i fuqive politike të koalicionit në rajone zonale, këto tre elemente duhet të jenë shumë të rëndësishme. Nëse kjo arrihet, që besoj se arrihet, po flas në bazë të intencës sime, Çairi do t’i takojë Alternativës”, u shpreh Rexhepi

Emri i Bekim Sali dallon, u shpreh Zejdi, duke shtuar se nuk dëshiron ta nënvlerësojë emrin tjetër potencial që përflitet për kandidat, kryetarin e degës së Çairit të Aleancës për Shqiptarët, Zudi Koka.
Nga ana tjetër, nëse në Alternativë hapur e shprehin emrin e kandidatit të tyre të mundshëm, partneri i tyre i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët nuk konfirmon asgjë. As nëse Bekim Sali është i pranueshëm për ta si emër.
“Në zgjedhjet lokale më të mirët do të jenë kandidatët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa!” thanë nga ASh.

Sa u përket koalicioneve për zgjedhjet lokale të tetorit, Rexhepi tregoi se në rrethin e parë Aleanca-Alternativa nuk do të bëjë koalicion me subjekte të tjera. Në rrethin e dytë do të shihet interesi i përbashkët për programin zgjedhor, ndonëse edhe për këtë rreth shprehet skeptik për bashkëpunim me, siç tha, një VMRO që nuk ka dalë nga lëkura e “gruevizmit” dhe një LSDM që ka tradhtuar votuesit.

“Unë personalisht nuk shoh mundësi që koalicioni Aleanca dhe Alternativa do të ketë bashkëpunim qoftë me LSDM-në, qoftë me VMRO-në”, deklaroi Rexhepi.
Ajo që uron ish-sekretari gjeneral i Alternativës, është që të mos bëhen gabime në kuadër të koalicionit Ash-Aaa për zgjedhjet lokale. Shpreh bindje për fitore të gjerë në komunat shqiptare, përfshirë edhe Çairin, për të cilin thotë se asnjëherë nuk ka aspiruar postin e kryetarit.