Bekim Sali: “Çairi të cilin e meritojmë dhe e dëshirojmë”

Bekim Sali është kanditati për kryetar komune të Çairit nga Koalicioni ASh-AAA. Ai thotë se Çairi ka qenë një vend shumë i bukur dhe njëra ndër lagjet më të bukura të Shkupit por se viteve të fundit po i humbet shkëlqimi nga ndërtimet egra e pa leje, dhe zaptimi i hapësirave të gjelbra. Sali tha se Çairi ka nevojë për ndryshime pasiqë ka shumë mungesa duke filluar nga shërbimet shëndetësore e deri te parkingjet.

Në Çair ka rrugë të cilat vërshohen nga shiu mesatar, ka rrugë pa ndriçim dhe pa shenjëzime adekuate, të rrezikshme për këmbësorë dhe çiklistë. Banorët e Çairit e sidomos fëmijet, janë të rrezikuar edhe nga qentë endacak e që femijët e Çairit nuk i meritojnë këto kushte, duke e pasur parasysh që edhe shkollat janë me kushte të pavolitshme dhe paralele të ngarkuara përtej normativave ligjore. Këta fëmijë nuk kanë as kënde të lojrave sepse të gjitha janë shkatërruar dhe kanë mungesë të hapësirave të gjelbra. Por e gjithë kjo do të jetë një e kaluar sepse na pret një e ardhme e PASTËR dhe se tani kemi shansin historik që të ndalojmë fundosjen e mëtejshme të Çairit, tha kanditati për kryetar komune të Çairit Bekim Sali.

Ai fton te gjithe banoret e Çairit qe përmes zgjedhjeve vendimtare të 17 tetorit t’i bashkëngjiten që së bashku ta realizojnë vizionin e tij për Çairin e ri duke i dhënë përkrahje programit të pasur, real dhe konkret të përbërë prej projekteve konkrete në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, ekonomisë dhe kulturës. Në fund shtoi se të gjitha projektet janë me plane dhe afate konkrete për një Çair të ri të cilin e dëshirojmë dhe e meritojmë.