Bekim Sali: 75% e popullsisë e imunizuar në mënyrë natyrore!


Pas dy vitesh, Klinika për Sëmundje Ngjitëse dhe mjekët e saj, më në fund po gjejnë pak qetësi dhe kohë për pushim. Këtë e pohoi edhe Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në emisionin ClickPlus duke treguar se Klinika po dezinfektohet dhe po bëhen rregullime të vogla, andaj edhe është mbyllur, ndërsa mjekët do të jenë të lirë për dy javë.

“Kishte nevojë për dezinfektim të plotë të Klinikës, por edhe numri i vogël i pacientëve të shtruar, ishin vetëm 2 të cilët na u desh t’i transferojmë Spitalin e qytetit “8 shtatori”, sollëm vendim që përkohësisht ta mbyllim klinikën që të mund të dezinfektojmë dhe ta lyejmë”, tha Sali.

Sa i përket imunizimit me vaksina kundër virusit korona, Sali u shpreh se mbi 75% e qytetarëve janë të imunizuar në mënyrë natyrore sepse e kanë kaluar kovidin, e kjo krijon rehatinë për imunizim të përgjithshëm.

“Ne si shtet furnizohemi në bazë të projeksioneve për atë numër prej 70% të vaksinuar të cilin e kishim qëllim për mbrojtjen e qytetarëve.
-Po por për momentin ky numër është nën 50%..
-46% zyrtarisht jemi të vaksinuar. E dini se analiza serologjike që e bëmë tregoi se mbi 75% e qytetarëve tanë janë të imunizuar në mënyrë natyrore, duke e kaluar Kovidin, që na jep një farë rehatie se mund të konsiderojmë për popull të imunizuar”.

Të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se në gjithë vendin janë vetëm 1112 raste aktive me virusin korona. Që nga fillimi i pandemisë gjithsej 308.294 persona janë infektuar me Covid-19, prej të cilëve 9.260 e kanë humbur jetën.