Bekim Jashari: “Luftën e fituar me gjak po e humbim sepse nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta”

Anëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale për Salih Mustafën është pasojë e vendimeve të marra nga deputetët nga njëra anë dhe propagandave serbe nga ana tjetër. Ndërkohë, që Mustafa u shpall fajtor “në emër të popullit të Kosovës” nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale, Jashari ka theksuar se gjykata s’mund ta bëjë një gjë të tillë në emër të Kosovës.

“Gjykata Speciale nuk mund të dënojë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali në emër të popullit të Kosovës sepse populli i Kosovës është vet UÇK-ja. Ai po dënohet në emër të misioneve serbo-sllave për të barazuar krimin me viktimën, pra kriminelët e Serbisë që edhe sot shëtitin lirshëm po tentojnë t’i barazojnë me çlirimtarët tonë”, ka shkruar në Facebook. Jashari ka bërë thirrje për unitet, duke thënë se sot të gjithë “jemi UÇK” dhe pavarësisht partive duhet dalë në mbrojtje të luftës çlirimtare.

“Kjo është dëshmi që lufta jonë ende nuk ka përfunduar, luftën e fituar me gjak, falë dëshmorëve, martirëve e luftëtarëve të lirisë sot po e humbim fatkeqësisht dhe kjo pasi nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta. Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tonë në njerën anë dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë kundër nesh përderisa ne dhe “akademikët” tonë nuk bëjmë sa duhet në dokumentimin e luftës sonë të drejtë”, ka shtuar Jashari.

“Kjo që po ndodhë sot a është e mjaftueshme për t’i bindur udhëheqësit tonë për unitet apo duhet të shpallemi kriminelë për të na bërë bashkë kundër misioneve që dëshirojnë dështimin e shtetit tonë”.