Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar 100-ditëshin e Qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se në këto 100 ditët e para të qeverisjes, nuk janë mbajtur premtimet, ndërsa ka pasur edhe keqpërdorime të shumta.
Haxhiu ka thënë se të gjitha këto veprime nuk do t’i bënte Albin Kurti i vërtetë, andaj ka thënë se kryeministri aktual është vetëm “kloni i Albin Kurtit të vërtetë”.
“Kurti iku nga seanca për 100-ditëshin. Ky është kloni i Kurtit, sepse Kurti i vërtetë nuk do të ikte nga raportimi në Kuvend. Kurti po i ngjan Ali Babës me 40 hajdutë. Ky jashtë vendit, e ministrat e tij duke vjedhur në tendera këtu në Kosovë. Kurti nuk do të lejonte ministrat e tij të vepronin kështu, andaj ky është kloni i tij”, ka thënë Haxhiu.
Tutje, ai ka thënë se Kurti i vërtetë nuk do të dialogonte me Vuçiqin.
“Kurti i vërtetë nuk dialogon me Vuçiqin, a ky kloni po. Brengosuni se ua kanë ndërruar liderin”, iu është drejtuar Haxhiu deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.