Bekë Berisha thotë se s’ka faj Pacolli: Atë e detyroi Albin Kurti të flas për nënën e Haradinajve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka kritikuar ashpër kolegen e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila një ditë më parë foli për shërimin në Shqipëri të Rukë Haradinajt, nënës së ish-kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Berisha ka thënë se ajo se çka ka folur Pacolli është shkruar nga dikush tjetër, dhe është miratuar nga kreu i VV’së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti.

“Nuk e fajësoj Fitore Pacollin, ajo është veç vegël. Fjalimet i shkruan njëfarë Mihajli, Boiken Abazi nga Shqipëria, dhe i miraton Albin Kurti. Gati çdo deputet i VV’së flet çka shkruajnë të tjerët, nuk e kanë unin e vet”, është shprehur ai në T7.

“Po, absolutisht Albini e ka detyruar, sepse e qet si femër, që në fakt Fitorja si grua është dashur t’i thotë Albinit se nuk mundet ta përmendë Ruken, se në fund të fundit është grua”, ka thënë Berisha.

Deputeti i AAK’së, që ka akuzuar VV’në se po ia jep Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës goditjen e fundit, ka kërkuar që Fitore Pacolli të kërkojë falje.

“Do të ishte mirë që Fitore Pacolli t’i kërkonte falje Rukë Haradinajt, e të mos fliste pallavra. Duhet t’i thotë Albinit ‘a bën ta nxjerr fytyrën time’, dhe të kërkojë falje”, ka thënë Berisha.