Bejta: Taravari jepte diagnoza edhe për Ahmetin, tani pa hiç turp dëshiron të hyjë në koalicion me te

Me thumbime, ofendime e sarkazma, vazhdojnë përplasjet mes Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët e Nevzat Bejtës së BDI-së. Në takimin me qytetarët e Gostivarit, Nevzat Bejta thotë se është shumë mirë, i shëndetshëm e i fuqishëm dhe nuk ka asnjë diagnozë, duke i’u kundërpërgjigjur kështu, deklaratës së Taravarit të dhënë në Emisionin 200 në televizionin Alsat.

Bejta tha se Taravari jepte diagnoza edhe për kryetarin e BDI-së ndërsa tani bën çmos që te jetë pjesë e koalicionit po me Ali Ahmetin.

“Edhe në intervistën e fundit, mundohej të më ofendonte mua. Unë jam si ma mirë, i shëndetshëm, i mirë, i fuqishëm, pa asnjë diagnozë, ai jep diagnozë… Arben Taravari jep vetëm diagnoza, diagnoza të rënda ka dhënë për kryetarin tonë edhe atë në distancë, prej 100 metra e din kush është i sëmurë, e ka devalvuar edhe shkencën e mjekësisë. Ju e dini çfarë ka thënë për kryetarin tonë dhe tash pa hiç turp do të hyjë në koalicion.. Qytetarët që kanë halle, mos shkoni te ai, se tash ai nuk merret me punën profesionale të mjekësisë, por merret me politikë”, deklaroi Nevzat Bejta, BDI.

Në emisionin e fundit 200, Taravari i uroi shëndet Nevzat Bejtës, duke shtuar se bazuar në sjelljet dhe prononcimet e tij, ai si mjek profesionist ka dyshimet e tija.

“Zotëri Bejta është legjendë, është rrëfim në vete. Unë asnjëherë nuk do e kisha komentu. Asnjëherë s’kam pas koalicion me asnjërin, por të gjitha paragjykimet dhe konspiracionet që i bën zotëri Bejta, vetëm ai mund t’i bën. Unë i kisha uruar shëndet, se vërtetë është pak i dyshimt në sjellje dhe në atë që prononcohet”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

Nevzat Bejta, i cili bën pjesë në grupin e të pakënaqurve të BDI-së, akuzon bashkëpartiakët e tij Artan Grubin e Talat Xhaferin për mbështetje të kundërshtarit të tij nga radhët e Aleancës gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në komunën e Gostivarit. Ndërsa Taravari hedh poshtë këto akuza, thotë se asnjëherë nuk është ulur me Grubin e Xhaferin, por ka marrë mbështetje nga anëtarët e BDI-së vetëm për shkak të pakënaqësive ndaj Bejtës.

Takimet me elektoratin mes dy grupeve në BDI nisëm pas thellimit të përçarjeve dhe insistimit të grupit të zjarrit për largimin e Artan Grubit nga qeveria për shkak të sic thonë të mosrealizimit të projekteve që kanë të bëjnë me shqiptarët, por edhe për përçarje brenda anëtarësisë dhe uzurpimin e BDI-së. /Alsat.mk