Bejta: I nderuar dhe i bekuar të jem kandidati juaj për kryetar të Gostivarit

Besimi i liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, strukturave të partisë, si dhe përkrahja e vazhdueshme që po marr nga qytetarët e Gostivarit për kandidimin tim për Kryetar komune në zgjedhjet e 17 Tetorit, më kanë bërë të ndjehem njeriu më me fat që jam banor i Gostivarit dhe njëkohësisht anëtar i familjes sonë të madhe, BDI.

Për mua besimi i njerëzve ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Falë besimit dhe përkrahjes tuaj, jam në skenën politike dhe angazhohem që besimin tuaj ta arsyetoj me shërbesë, punë, përkushtim dhe korrektësi maksimale.
Para nesh kemi një proces zgjedhor ku jam i bindur se do të ngadhënjejmë, pasi gostivarasit çdoherë kanë ditur të bëjnë dallimin e njerëzve që pushtetin e shfrytëzojnë për të qenë në shërbim të shoqërisë dhe për të punuar në dobi të të gjithëve.

E vërteta, sinqeriteti dhe vullneti për të punuar, pa dyshim ,janë në anën tonë.Duke shprehur konsideratat më të larta për besimin tuaj, zotohem që përkushtimi për qytetin tonë do të jetë më i madh se kurrë më parë.
Ne kemi hartuar plane të mirëfillta për Gostivarin që duam ta shohim sa më mirë. Bashkë do të punojmë fort për Gostivarin që e meritojmë ta kemi.Ju faleminderit.