Behgjet Pacolli tregon a do t’ia votojë Albin Kurtit qeverinë e re më 25 mars


Kreu i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë.

Ai ka thënë se këto zgjedhje ishin korrekte dhe demokratike, teksa ka theksuar se u ndëshkuan si AKR, për shkak të koalicionit me LDK-në.
“Zgjedhjet e 14 shkurtit, përkundër disa anomalive, në përgiithësi ato ishin korrekte dhe demokratike për çka duhet falënderuar në rend të parë qytetarët e Kosovës. Vota ka qenë plebishitare dhe ndëshkuese po jo aq për zgjidhje. Koalicionin me LDK-në e paguam edhe ne, si ndëshkim i qytetarëve ndaj kësaj partie, siç thonë për t’skejt të thatit shkon edhe i njomi”, ka thënë Pacolli për Le Canton27.ch.

Pacolli ka konfirmuar se do të votojë për qeverinë “Kurti 2”, më 25 mars, kur pritet të mbahet seanca për formimin e qeverisë së re.

Pacolli ka treguar se këtë do ta bëjë për shkak të qytetarëve, pasi sipas tij, ata humbin shumë me bllokada politike.
“Zgjedhjet e fundit dëshmuan se populli ishte për ndryshim, madje edhe unë vet këtë e kam konfirmuar duke e votuar qeverinë Kurti, që më pas kam votuar edhe qeverinë tjetër dhe tash më 25 mars padyshim se do ta votoj edhe Qeverinë Kurti 2. Unë, tërë jetën kam votuar qeveri, duke menduar se institucionet e vendit janë të nevojshme për qytetarët e Kosovës! Unë i votoj qeveritë, sepse e di fort mirë se sa Kosova, qytetarët tanë humbin me bllokada politike dhe vendi ynë nuk guxon të ketë këso bllokadash, vakumesh institucionale dhe vendi ynë nuk e ka atë luks për këto manovrime politike, sepse ashtu-kështu neve na ka ikur treni këta muajt e fundit duke u grindur me qeverinë në kohë pandemie, duke harruar qytetarët tanë”, ka konfirmuar i pari i AKR-së.

Ai ka thënë se do ta votojë qeverinë “Kurti2”, përkunër mospajtimeve politike me të. Sipas tij, qytetarët nuk meritojnë “maltretim” me zgjedhje të reja në pandemi.
“Pavarësisht nga hidhërimet apo mospajtimet e mia me zotin Albin Kurti, fundja jetojmë në një vend me pluralizëm politik, të cilat gjëra mund të ndodhin, unë sërish do ta votoj qeverinë Kurti. Garda e FSK-së para Qeverisë së Kosovës, unë isha ai që ia dorëzova postin e kryeministrit të ri Albin Kurtit. Ju siç e dini vitin e kaluar, kur te gjithë ikinin, isha i vetmi personalitet që ia dorëzova si burrat detyrën e kryeministrit z.Kurti, ku qeverinë dhe ministritë ia dorëzova jo thjeshtë me një letër, por me një raport të punës se si dhe çfarë duhet vepruar në afat të shkurt, të mesëm apo afatgjatë dhe plus ia kam rregulluar ambientet me paratë e mia. Unë i dëshiroj Albin Kurtit sa më gjatë t’i zgjat mandati se vërtetë Kosova është traumatizuar me këto zgjedhje. Më 25 mars do ta votoj pa hezituar Qeverinë Kurti-2, duke menduar se institucionet e vendit janë të nevojshme për qytetarët e Kosovës! Boll më me zgjedhje, ky popull nuk e meriton këtë maltretim aq më tepër në këtë kohë pandemie. Të bashkohemi e të ndërtojmë dhe zhvillojmë Kosovën tonë, se vetëm me punë dhe unitet mund të ecim përpara, s’ka alternativë tjetër”, ka shtuar Behgjet Pacoll.