Behgjet Pacolli jep një ide se si të dilet nga kriza ekonomike në kohë pandemie!

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka folur rreth pasojave të pandemisë koronavirus në Kosovë dhe për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e pasojave për ekonominë.

Ai në një postim në Facebook ka kërkuar më tepër ndihmë të shtetit për kompanitë përmes granteve, avantazheve tatimore dhe subvencioneve.

Pacolli ka kërkuar krijimin e një komiteti kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike në Kuvend, pjesë së cilit do të jenë qeveria, opozita, bizneset, odat ekonomike dhe palët e tjera e interesit, me qëllim që t’i përgjigjet së bashku situatës ekonomike, e cila sipas tij do të jetë më e rënda që nga vitet e nëntëdhjeta.

“Nëse nuk i marrim këmbët në fillim mirë, do të jetë një sfidë për vite me radhë ndikimi. Kosova duhet të mësojë nga eksperiencat që vendet e tjera kishin me krizën ekonomike në 2008”, ka shkruar Pacolli.

Postimi i plotë:

Pandemia Koronavirusi po na shkakton një krizë ekonomike në Kosovë si në të gjitha vendet e tjera. Do të përballemi me situaten më të rëndë ekonomike që nga vitet ’90 në Kosovë. Kjo kërkon lidership, unitet dhe masa që do të mundësojnë rimëkëmbjen e ekonomisë sonë.

Ne duhet të ndihmojmë bizneset të mbulojnë nevojat e menjëhershme të kapitalit qarkullues dhe të vazhdojnë aktivitetet e tyre në këto periudha të vështira. Kosovës i duhen masa të ndërhyrjes së menjëhershme, si dhe masa strategjike për ristrukturimin e sektorëve kryesorë ekonomikë.

Ne duhet të sigurojmë stimuj dhe ndihmë shtetërore për kompanitë. Në disa raste me kompani që janë thelbësore për ekonominë tonë, duhet të marrim parasysh edhe nacionalizimin e tyre ashtu siç propozojnë Franca dhe vendet e tjera në Evropë, me qëllim shpëtimin e këtyre kompanive. Por kjo kërkon një konsensus dhe një analizë të thellë.

Kosova duhet t’i sigurojë komunitetit të biznesit grante të drejtpërdrejta, avanse, avantazhe tatimore dhe subvencione. Ndihma duhet të sigurohet për prodhimin parësor të produkteve bujqësore dhe ushqimore. Është thelbësore që prodhimi ynë I brendshëm të fuqizohët, për të fituar më shumë pavarësi nga importet.

Ne duhet të krijojmë një komitet kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike në Kuvend që do të bashkojë qeverinë, opozitën me komunitetin e biznesit, odat ekonomike dhe palët e tjera e interesit. Kjo është një kohë kur ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe t’i përgjigjemi së bashku sfidës ekonomike. Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë ligjin për ndërhyrje në ekonomi.

Të gjithë mund të kontribuojnë, askush nuk mund ta fitojë këtë vetëm.

Kjo është një kohë për të treguar unitetin dhe konsensusin. Kur ekonomia jonë është mirë, ne kemi hapësirë të mjaftueshme për të bërë politikë partiake. Por tani lufta jonë duhet të fokusohet në rimëkëmbja ekonomike.

Nëse nuk i marrim këmbët në fillim mirë, do të jetë një sfidë për vite me radhë ndikimi. Kosova duhet të mësojë nga eksperiencat që vendet e tjera kishin me krizën ekonomike në 2008.