Bëhet viral “Guri i varrit” i Internet Explorerit

Për Jung Ki-young, inxhinier softuerësh koreano-jugor, vendimi i Microsoftit për të mos përkrahur shfletuesin e saj të internetit Internet Explorer, ka shënuar fundin e një marrëdhënieje çerekshekullore të ndryshueshme me teknologjinë, raportoi Reuters të shtunën.

Për të përkujtuar “vdekjen” e këtij shfletuesi, inxhinieri koreano-jugor shpenzoi një muaj dhe rreth 330 dollarë duke projektuar dhe porositur një gur lapidar me logon “e” të Explorer dhe mbishkrimin: “Ai ishte një mjet i mirë për të shkarkuar shfletues të tjerë”.

Fotografia e gurit të varrit e publikuar në rrjete sociale, është bërë virale. Microsoft vendosi të mos e mbështesë Internet Explorerin, i cili dikur ishte i gjithëpranishëm, për t’u fokusuar në shfletuesin e tij më të shpejtë, Microsoft Edge. Jung tha se memoriali tregoi ndjenjat e tij të përziera për softuerin më të vjetër, i cili kishte luajtur një rol kaq të madh në punën e tij.

“Ishte e dhimbshme, do ta quaja një marrëdhënie dashuri-urrejtje sepse vetë Explorer dikur dominonte një epokë”, tha ai. I lansuar në vitin 1995, Explorer u bë shfletuesi kryesor në botë për më shumë se një dekadë, pasi u bashkua me sistemin operativ Windows të Microsoft-it që ishte i parainstaluar në miliarda kompjuterë.

Por filloi të humbiste ndaj Chrome të Google në fund të viteve 2000 dhe u bë objekt i memeve të panumërta në internet, me disa zhvillues që sugjeruan se ishte i ngadaltë në krahasim me rivalët e tij. Jung tha se kishte për qëllim t’i bënte njerëzit të qeshin me gurin e varrit, por ka mbetur i habitur se sa larg ka shkuar shakaja në internet. “Kjo është një arsye tjetër që unë të falënderoj Explorerin, tani ma dha mundësinë të bëj shaka të klasit botëror”, ka thënë ai.