Begaj nga Manastiri kujtoi autoritetet e Maqedonisë për lënien pas dore të muzeut

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj qëndroi në Manastir në kuadër të manifestimit për 115 vjetorin e Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe. Begaj i shoqëruar nga liderët shqiptarë vendas foli edhe për rëndësinë e Muzeut të Manastirit, duke i kujtuar autoritetet vendase neglizhencën e treguar deri më tani ndaj muzeut dhe imazhin që reflekton godina e muzeut tash e disa vite.

“Besoj se mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj Muzeut të Kongresit të Manastirit duhet të jetë në vëmendjen e qeverive tona, përkujdesja për simbolet tona kombëtare, ndërtesa e muzeut duhet të jetë parësore. Kjo është përgjegjësia jonë përpara historisë dhe përpara të ardhmes”, deklaroi Bajram Begaj, President i Shqipërisë.

Me rastin e 115 vjetorit u përurua edhe Biblioteka e parë me botime shqipe në Manastir, proces për të cilin ideatoria e saj, Ermira Selimi ishte penguar tashmë e disa vite.

Në përvjetorin e 115 morën pjesë edhe liderët e partive politike shqiptare, ndërsa mes tyre nuk mungoi edhe shtrëngimi i duarve. Më 22 nëntor mbushen 115 vite nga Kongresi i Manastirit i mbajtur nga 14 deri 22 nëntor në Manastir në vitin 1908. Nisma kishte ardhur falë konstatimit se njësimi i alfabetit ishte aq i nevojshëm saqë përveç problemit arsimor dhe kulturor kishte kaluar edhe në problem politik për të cilin kërkonte zgjidhje Lëvizja Kombëtare aso kohe. /Alsat.m