Begaj: “Kosova është realitet i pakthyeshëm politik, sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm”

Presidenti i Republikës Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar të hënën paradite një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vijim të ngjarjeve që krijuan tension në veriun e Kosovës. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, gjatë bisedës me homologen Osmani, Begaj përshëndeti “vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakorduara më herët”. Presidenti i Republikës Shqipërisë ka thënë se Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribuues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm.

“Kreu i shtetit nënvizoi se vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë. Presidenti i Republikës Shqipërisë tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtare për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ne njoftimin e zyrës së shtypit të Begajt.

“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Begaj gjatë bisedës telefonike me Osmanin.

Më herët kreu i ri i shtetit shqiptar, Bajram Begaj, në takim me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez, i kujtoi këtij të fundit, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, 11 vjet më parë, ku sipas këtij vendimi, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm politik, kontribuues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i konfirmuar jo vetëm nga mbi gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur atë, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, 11 vjet më parë”, u shpreh Begaj, duke iu referuar anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, deklaroi në Tiranë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se me rastin e pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare, prandaj nuk mund të jenë në favor të pranimit të pavarësisë.

Në mënyrë të veçantë Presidenti i Republikës, në takim me kryeministrin e Spanjës u ndal në situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ku përshëndeti autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar, që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë për rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.