Befason reperi Kanye West: Do kandidojë për president të Shteteve të Bashkuara

Reperi amerikan, Kanye West, një mbështetës i zëshëm i Presidenti të SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi këtë të shtunë se do të kandidojë për president në vitin 2020, një sfidë kjo e dukshme kundrejt Trump dhe rivalit të tij demokrat, ish zëvendës presidentit, Joe Biden.

“Është koha të zbatojmë premtimin ndaj Amerikës, duke i besuar Zotit, duke unifikuar vizionin tonë dhe duke ndërtuar të ardhmen. Unë do të garoj për president të Shteteve të Bashkuara, duke shtuar një emoji të flamurit amerikan dhe hashtagun” #2020VISION ”

Kanye West ka njoftuar se do të kandidojë për president të Shteteve të Bashkuara, vetëm 4 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA, njoftim ky që u prit me shumë skepticizëm, por ngjalli edhe mjaft reagime.

Nuk dihet nëse ai ka paraqitur ndonjë dokument zyrtar për t’u paraqitur në fletët e votimit, por kujtojmë se afati i fundit për të shtuar kandidatët e pavarur në fletëvotim nuk ka kaluar ende në shumë shtete, shkruan Reuters.

West dhe bashkëshortja e tij Kim Kardashian West kanë vizituar Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në një takim në tetor të vitit 2018, West mbajti një fjalim aspak të zakonshëm në të cilin diskutoi universet alternative dhe diagnozën e tij të çrregullimit bipolar, për të cilin tha se ishte nga privimi i gjumit.