Bedri Ajdari, u përcoll për në banesën e fundit! (Video)

Në varrezat e fshatit Hasanbeg të Shkupit, sot në mesditë i është dhënë lamtumira e fundit, Bedri Ajdarit, njërit nga familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra”, i cili ishte edhe organizator i shumë protestave kundër këtij rasti gjyqësor.

Në ceremoninë e varrimit të të ndjerit kanë marrë pjesë qindra qytetarë.

Bedri Ajdari për më shumë se 10 vite u bë zë i fuqishëm kundër padrejtësive ndaj shqiptarëve në Maqedoni, përmes sensibilizimit për rastin gjyqësor “Monstra”, të cilin ai e cilësonte si të montuar.

Përmes protestave dhe shumë paraqitjeve nëpër media, Bedri Ajdari, u mundua të nxjerr në sipërfaqe pafajësinë e të afërmve të tyre të cilët u dënuan në rastin “Monstra” që kishte të bënte me vrasjen e pesë maqedonasve pranë liqenit të Smilkovës në Shkup, në vitin 2012. Bedri Ajdari ndërroi jetë dje, pas një sëmundjeje të rëndë.