BE presion Bullgarisë për të hequr veton për Tiranën dhe Shkupin


Presidenti bullgar Rumen Radev ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me komisionerin për zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi. Radev theksoi se Sofja është e hapur për dialog, ka bërë pyetje të qarta dhe pret përgjigje dhe veprime reale nga Maqedonia e Veriut duke mos u tërhequr nga vetoja, që bllokon edhe Shqipërinë, pasi Tirana dhe Shkupi janë planifikuar të ecin në bllok dhe jo të ndara në procesin e integrimit.

Kreu i shtetit bullgar u shpreh gjithashtu se agjenda e marrëdhënieve dypalëshe mes Sofjes dhe Shkupit nuk duhet t’i nënshtrohet ndikimeve të jashtme, por duhet të zhvillohet hapur me angazhimin e të dyja vendeve, gjë që do të çojë përpara procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.Ai vuri në dukje respektimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, zhdukjen e përhershme të gjuhës së urrejtjes dhe respektimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore bullgare në Republikën e Maqedonisë.Ndërkohë që Bullgaria ka kërkuar zyrtarisht nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ndahen për sa i përket procesit të negociatave për integrimin në BE.

Bullgaria ka kërkuar që Shqipëria të gjykohet për meritat e saj dhe të vijojë rrugën drejt integrimit.“Maqedonia e Veriut nuk plotëson ende kriteret për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, thuhet në reagimin e qeverisë bullgare.Këtë propozim e ka bërë edhe Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi. Vendimi për hapjen e negociatave është bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut. Por shtetet anëtare të BE-së kanë kundërshtuar ndarjen në procesin e hapjes së negociatave, duke penalizuar kështu edhe Shqipërinë.