BE-ja konfirmon se të pagjeturit do të jenë patjetër pjesë e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi

Pas më shumë se dy dekadash ankth dhe pritje, familjarët e të zhdu*kurve të lu*ftës po shohin një fije shprese se dialogu që po zhvillohet në Bruksel me shtetin që ua shkaktoi këtë dhimbje, do të ketë një fund.

Ferdonije Qerkezi, aq sa ndjen mall për të gjithë ata që i humbi në lu*ftë ndjen edhe zhgënjim për udhëheqësit e shtetit të saj të pasl*uftës, prandaj shpresa e saj se do të ketë ndonjë lajm të mirë nga dialogu për burrin Halimin dhe djemtë Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin, është thuajse e padukshme.
“Shpresat edhe tash janë të vogla, po shpresa vdes e fundit”, tha ajo .

Për fundin e pritjeve të gjata të familjarëve si nënë Ferdonija është zotuar edhe Bashkimi Europian si institucion ndërmjetësues dhe ligjërisht obligues.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano se është bërë përparim në këtë çështje të ndjeshme derisa u zotua se marrëveshja Kosovë-Serbi do të përfshijë me doemos edhe pikat për të pagjeturit.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja synon arritjen e një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, duke zgjidhur të gjitha pyetjet e mbetura. Çështjet e personave të zhdukur, si dhe të personave të zhvendosur, janë adresuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja që nga rifillimi i tij në korrik të vitit 2020. Është bërë përparim për të gjetur gjuhë të përbashkët për të dyja këto tema të ndjeshme dhe marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse do të përfshijë dispozita në lidhje me këto çështje. Bashkimi Europian inkurajon të dy palët të bashkëpunojnë më tej për të lehtësuar në mënyrë efektive procesin në vazhdim të identifikimit të vendeve, zhvarrosjen si dhe identifikimin e mbetjeve”, tha Stano për portalin.

Se kjo çështje do të diskutohet dhe zgjidhet me patjetër në tavolinën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, siguroi para pak ditësh edhe Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Gjatë kohës sa po raportonte në Komisionin Parlamentar për të Pagjeturit, ai tha bindshëm se Qeveria Hoti nuk do të vë nënshkrim në letrën e marrëveshjes me Serbinë pa u zgjidhur kjo temë e hapur për dekada.
Veçse ky njoftoi se përveç delegacionit qeveritar, në bisedime do të marrin pjesë edhe anëtarë të shoqatave të familjeve të të pagjeturve – një kërkesë kjo e kamotshme e nënave kosovare.

Por, deri më tani as Ferdonije Qerkezi e as Nysrete Kumnova, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, nuk janë telefonuar nga ndonjë institucion për këtë grup punues.
Por edhe pse e paftuar deri më tani në këtë proces, për djalin e saj hasret Albionin, Nysrete Kumova, po tregohet këmbëngulëse dhe pak më shumë optimiste për atë që do të prodhojnë bisedimet në Bruksel.
“Gjithmonë duhet të mbajmë shpresë që ata marrin një vendim dhe nuk na zhgënjejnë. Na janë ngjallë pak pritjet edhe kur po i përcjellim lajmet kur po thuhet se ka varreza masive. Shpresa po na japin edhe tash kur kanë filluar që të tregojnë realitetin se ka varreza masive në Serbi”, tha ajo për Klan Kosova.

Nënë Nysretja bëri ankesën e saj të përhershme se kurrë Kosova s’i bëri presion Serbisë sa duhet.
Por, derisa Kosova nuk i bëri presion, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, par pak ditësh u përball me presion nga vetë serbët e shoqatave civile që ai të nderojë viktimat shqiptare të krimeve të tmerrshme të ish-shefit të tij, Sllobodan Millosheviq.