BE-ja ka ndarë 18 milion euro për zhvillimin e turizmit në Maqedoni


Nga gjithsej 90 milion euro të ndara në nivel vjetor nga Bashkimi Evropian në të gjitha projektet në Maqedoni, 18 milionë këtë vit janë ndarë për projektet e zhvillimit të turizmit. Por sa nga këto fonde do të përdoren ende nuk dihet. Ambasadori i BE-së , Samoel Zbogar për Alsat mosshfrytëzimin e mjaftueshëm të fondeve nga BE-ja, ndër të tjerat, e sheh edhe në institucionet shtetërore.

Unë mendoj se për këtë ka më shumë elemente, siç është mungesa e informacioneve. Si element i dytë janë edhe procedurat tona të BE-së të cilat nganjëherë janë shumë të komplikuara dhe mendoj se në këtë drejtim, Qeveria mund të ndihmojë shumë për t’u mbledhur ato dokumente në një vend se sa qytetarët të shëtisin nga një vend në tjetrin. Si element i tretë është aftësia e institucioneve shtetërore që të mund t’i procesojnë me kohë të gjitha procedurat në mënyrë që të mos humbasin kohën, pasi të gjitha thirrjet dhe projektet janë të lidhura me afate kohore. Duhet punuar në aftësinë e institucioneve shtetërore për t’i procesuar këto gjëra”- theksoi Samuel Zbogar, ambasadori i BE-së në Maqedoni.

Se në mënyrë të pamjaftueshme i përdorin paratë evropiane e pranojnë edhe punonjësit turistik dhe autoritetet lokale në Ohër. Nga pavarësia e Maqedonisë, komuna e Ohrit ka përdorur vetëm katër milionë euro para evropiane. Arsyen e shohin edhe në mungesën e projekteve. Situata nuk është e mirë as në Strugë.

Ne si komunë në periudhën e ardhshme, do të bëjmë thirrje publike për të gjithë njerëzit që janë të interesuar për hartimin e projekteve për t’i drejtohen komunës dhe do të ketë një periudhë të testimit të tyre dhe në fund selektim”- u shpreh Jovan Stojanovski, kryetar i Ohrit.

Sa i përket mundësisë së përdorimit të këtyre fondeve, është e sigurt se ekziston kapaciteti, por për këtë ne duhet të bëhet një studim i mirë se si të arrijmë deri te këto fonde”- theksoi Vllado Sukloski, punonjës turistik.

Punonjësit turistikë besojnë se turizmi mund të jetë një nga shtyllat në të cilat ekonomia mund të bazohet në të ardhmen. Për këtë flasin të dhënat se deri në fund të vitit 2018, numri total i turistëve të huaj që do ta vizitojnë vendin do të arrijë në 1.2 milionë, ndërsa do të sjellin të ardhura prej 24 miliardë denarë./PC