BE-ja e zhgënjyer me deputetët e Kosovës pas mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

Ka ardhur reagimi i parë nga Bashkimi Evropian pasi në Kuvendn e Kosovës nuk u arrit të votohet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Në rrjetin social Twitter Shefja e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova është shprehur e zhgënjyer me deputetët të cilët nuk i votuan marrëveshjet ndërkombëtare.
Apostolova përmes Twitterit ka thënë se mosmarrëveshjet politike mes partive po i pamundësojnë qytetarëve përfitimin nga fondet e Bashkimit Evropian.

“Thellësisht e zhgënjyer nga deputetët që nuk arritën të ratifikojnë edhe një herë tjetër marrëveshjet ndërkombëtare sot. Mosmarrëveshjet politike të përfaqësuesve të popullit të kosovës po i pamundësojnë qytetarëve të përfitojnë nga përkrahja ndërkombëtare dhe dhe fondeve të BE’së” ka shkruar Apostolova.

Në seancën e sotme të Kuvendit, nga 83 deputetë prezentë, vetëm 75 kanë votuar pro që ka qenë e pamjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për arsye se duhen 2/3 e votave.
Marrëveshjet ndërkombëtare që dështuan të miratoheshin dhe votat që morën sot në seancë: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim)

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim). Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. 75 vota për, asnjë kundër asnjë abstenim. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim)

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit ‘Dogana 2020’. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim). Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”. (75 vota për, nuk ka pasur vota kundër dhe as abstenim).