BE-ja, drejt vaksinimit të obligueshëm


Dyshimet se masat kufizuese ndaj personave të pavaksinuar janë diskriminuese si dhe fakti se personat e pavaksinuar janë më të rrezikuar nga koronavirusi, ka bërë që disa shtete të Bashkimit Evropian të flasin hapur për mundësinë e bërjes së vaksinimit obligues për të gjithë qytetarët.

Austria është shteti i parë anëtar i BE-së që ka paralajmëruar se nga shkurti i vitit të ardhshëm, vaksinimi do të jetë i obligueshëm për të gjithë qytetarët. Këtë gjë e ka thënë kancelari austriak, Alexander Schallenberg.
“Ne kemi pasur deri më tash konsensus se vaksinimi si obligim nuk është diçka e domosdoshme. Por, tash përballemi me një realitet të ri”, ka thënë ai.

Belgjika mund të jetë shteti i cili do ta bëjë të njëjtën gjë. Ky shtet tashmë ka marrë vendim për vaksinimin e obligueshëm për punëtorët në sektorin e shëndetësisë, të cilët janë në linjën e parë të përballjes me pandeminë. Ata që nuk do të vaksinohen deri në janar të vitit 2022 do të pezullohen nga puna, ndërkaq punonjësit shëndetësorë që nuk vaksinohen deri më 1 prill të vitit të ardhshëm do ta humbasin vendin e punës.

Por, zëvendëskryeministrja e Belgjikës, Petra de Sutter ka thënë se “duhet të jemi të sinqertë dhe të hapim diskutimin për vaksinimin e obligueshëm”.
Ajo ka thënë se është më mirë që vaksinimi të jetë i obligueshëm sesa t’u thuhet qytetarëve “ju nuk jeni të obliguar të vaksinoheni nëse nuk dëshironi” e në të njëjtën kohë qytetarët të përjashtohen, praktikisht, nga jeta normale.
Me këtë qëndrim është pajtuar edhe ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke.

“Më herët kemi thënë se vaksinimi i obligueshëm është vetëm një mundësi teorike. Por, tani kemi një realitet të ri dhe duhet të shkojmë drejt këtij obligimi”, ka thënë ai.
Belgjika ka një numër të madh të qytetarëve të vaksinuar dhe kjo ka ulur dukshëm numrin e të vdekurve, por tani ky shtet po përballet me rritje të numrit të rasteve të reja. Belgjika në javë shpenzon 25 milionë euro për testim për COVID-19.

Për momentin, në nivel të BE-së nuk ka mundësi që të vendoset vaksinimi si obligim, por në Bruksel thonë se “shtetet anëtare janë duke shkëmbyer përvojat e tyre edhe në këtë drejtim”.
Në pyetjen se “a mund të bëhet vaksinimi ligjërisht obligues”, në Bruksel përgjigjen se ky vendim u takon shteteve anëtare.

Bashkimi Evropian që nga fillimi i pandemisë COVID-19 po përballet me sfida në përgjigjen e tij, pikërisht për shkak se ekzistojnë kufizime ligjore që nuk mundësojnë vendimmarrjen nga ana e institucioneve të përbashkëta të BE-së. Zyrtarët e Komisionit Evropian në Bruksel vazhdojnë të përsërisin qëndrimin se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve janë kompetencë nacionale e vendeve anëtare, ndërsa BE-ja dëshiron vetëm që të sigurojë koordinim mes shteteve anëtare, në mënyrë që të gjithë të jenë më të suksesshëm në përballje me pandeminë.

Por, janë disa kompetenca që kanë institucionet e përbashkëta të BE-së që kanë të bëjnë me parandalimin e diskriminimit. Prandaj, BE-ja ka kërkuar nga secili shtet që ndërmerr masa të kufizimit të lëvizjes, duhet të njoftojë shtetet fqinje, Komisionin Evropian dhe shtetet e tjera anëtare të bllokut, pasi masat e një shteti mund të kenë ndikim edhe në shtetet tjera.

Komisioni Evropian kishte propozuar të ashtuquajturat certifikata të COVID-it, me të cilat synohej rihapja e Evropës në stinën e verës. Përmbajtja e certifikatave ishte e njëjtë për të gjitha shtetet anëtare. Ato përmbanin të dhënat për vaksinim, dëshminë se një person është shëruar nga virusi apo testin negativ për COVID-19.
“Por, mënyra sesi një shtet anëtar i përdor këto vërtetime, i takon vet shtetit anëtar”, thonë në Komisionin Evropian.

Për shkak të rritjes së shpejt të numrit të infektimeve në vendet e BE-së, disa prej anëtarëve të bllokut evropian së fundmi kanë vendosur masa të reja të kufizimit të lëvizjes. Austria, Belgjika, Holanda dhe Gjermania kanë kthyer disa masa dhe kanë vendosur edhe kufizime të reja. Disa prej këtyre shteteve nuk pranojnë më dëshminë për test negative për të pasur qasje në ndonjë objekt, por vetëm konfirmim për vaksinim apo dëshminë se një person e ka pasur virusin.

Shtetet si Greqia dhe Franca kanë paralajmëruar se në të ardhmen do të pranojnë vetëm certifikatat COVID për personat që janë të vaksinuar plotësisht. Në pyetjen se a është duke e menduar Komisioni Evropian që të ndryshojë kriteret për këto certifikata në nivel të BE-së, nga ky institucion thanë se “është e vështirë të thuhet në këtë moment”.

“Është vështirë të japim përgjigje në këtë pyetje në këtë moment pasi për këtë çështje po zhvillohen konsultimet me shtetet anëtare, Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) dhe me partnerët e tjerë. Këto konsultime po bëhen me qëllim të ndryshimit të rregullave që janë në fuqi”, tha Christian Wigand, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështje juridike.

Një prej dilemave të tjera është edhe kohëzgjatja e këtyre certifikatave. Ato janë vendosur me afat vlefshmërie prej 12 muajsh prej kur një person ka marrë dozën e fundit të vaksinës. Por, në pranverën e ardhshme do të kalojnë afati prej 12 muajsh dhe tash kanë nisur konsultimet se në çfarë mënyrë do të zgjatet ky afat.

“Sa i përket mundësisë së zgjatjes së afatit, kemi thënë se ato kanë afat prej një viti me mundësi zgjatjeje. Tre muaj para se të skadojë afati, ne do të dalim me një raport për zbatimin e deritanishëm të certifikatave. Si të tilla, ato kanë shërbyer si një mjet për të lehtësuar lirinë e lëvizjes e jo si parakusht për këtë. Ato nuk janë pasaporta”, tha Eric Mamer, zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian.

Përdorimi i dokumenteve të ndryshme për lëvizje dhe qasje në disa objekte është bërë edhe sfidë ligjore. Kjo po ashtu edhe për shkak se disa të dhëna personale ndodhen në këto dokumente, që tani mund t’i kontrollojnë një numër i madh personash, prej kamerierëve nëpër restorante e deri te punëdhënësit.