BE-ja do t’i japë ndihmë humanitare Ukrainës, ja sa është vlera (VIDEO)


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se do t’i sigurojnë 500 milionë euro ndihmë humanitare Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë. Von der Leyen, zhvilloi një konferencë të përbashkët me presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, gjatë vizitës së saj në këtë vend.

Duke theksuar se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për popullin ukrainas, ajo tha se kësaj i është shtuar edhe ndihma humanitare prej 500 milionë eurosh.
Sipas saj, ndihma do të bëhet nga buxheti i BE-së, ndërsa paralajmëroi se “ka edhe më shumë për të ardhur”.

BE, në ditët e kaluara kishte njoftuar se do t’i ofrojë Ukrainës një ndihmë ushtarake në vlerë prej 500 milionë eurosh.
Von der Leyen u pyet lidhur me aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në BE. Ajo tha se dhënia e statusit të kandidatit këtij vendi do të jetë temë e liderëve të vendeve të BE-së, ndërsa shtoi se “Prioritet është përfundimi i lu*ftës”.

Ajo gjithashtu paralajmëroi ndihmë humanitare dhe mjekësore për Moldavinë dhe ngritjen e qendrës së mbrojtjes civile në Rumuni, për personat që janë strehuar në vendet fqinje duke ikur nga lufta në Ukrainë.
Ndërkaq, Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërkuar nga Kongresi që ta aprovojë paketën e ndihmave për Ukrainën e që kap shifrën e 10 miliardë dollarëve. Kjo shumë financiare do të përfshijë edhe ndihmën për mbrojtjen ushtarake ukrainase që po sulmohet nga Rusia tash e tetë ditë. /SHENJA/