Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nxjerrë disa konkluzione të përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar, ku Kosova ndër të tjera u dakordua të plotësojë proceset e certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës.
Sipas një komunikate të zyrës së BE-së në Kosovë, Kosova, e cila ende paraqitet me fusnotë, u dakordua të eksplorojë mundësinë e krijimit të një mekanizmi të pavarur mbikëqyrës për politikën fiskale.
“Gjithashtu, Kosova u dakordua të plotësojë proceset e certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës, të forcojë kapacitetet institucionale për planifikimin dhe menaxhimin e investimeve, si dhe të përmirësojë qasjen në financa për ndërmarrjet. Autoritetet u angazhuan të përmirësojnë politikën monetare dhe të finalizojnë kornizën e zgjidhjeve të bankave dhe të menaxhimit të krizave. Po ashtu, Kosova u dakordua të krijojë Fondin e Efikasitetit së Energjisë dhe të miratojë stimujt e efikasitetit të energjisë për sektorin privat dhe përdoruesit familjarë.
Kosova duhet të përfundojë çrregullimin e çmimeve të energjisë dhe të përfundojë një studim për një plan për rritjen graduale të tarifave të energjisë, në mënyrë që të pasqyrohen kostot aktuale. Gjithashtu, Kosova u dakordua të miratojë Strategjinë e re dhe Planin e Veprimit për luftimin e ekonomisë informale. Kosova duhet të shtojë fushëveprimin e masave të tregut aktiv të punës dhe të kryejë një analizë të nevojave të shkathtësive. Kosova u angazhua të vendosë skemën e përgjithshme të sigurimeve shëndetësore dhe të rrisë nivelin e regjistrimeve në arsimin parashkollor”, thuhet në komunikatë.