BE DHE NATO TROKASIN NË DERË TË MAQEDONISË, “25 QERSHORI DHE 11 KORRIKU MUND TË HAPIN DYERT E INTEGRIMIT”


Procesin e ndryshimit të emrit në mes Greqisë dhe Maqedonisë nuk mund ta ndaloj askush, shprehet eksperti i diplomacisë, Selim Ibrahimi. Sipas tij, në rast se do të ketë pengesa nga partia opozitare e VMRO-DPMNE-së dhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, atëherë për disa muaj mund të ketë zgjedhje të reja parlamentare dhe presidenciale. Profesori universitar thotë se me një përbërje të re parlamentare dhe një president të ri, do të bëhet ri-konfigurimi i skenës politike, duke i hapur rrugë miratimit të marrëveshjes. Përveç dobive që do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, Ibrahimi tërheq vërejtjen se në marrëveshje mungon një pikë që shpjegon shtetësinë dhe kombësinë.

“Është dashur që të vendosin një paragraf ku bëhet dallimi në mes shtetësisë së Maqedonisë dhe nacionalitetit. Në qoftë se kjo do të arrihej më vonë, qoftë me ndryshime të brendshme kushtetuese do të ishte mirë për shkak se shkon në pajtim të kohezionit të brendshëm ndëretnik. Pra, ashtu siç maqedonasit quhen shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëjtë shqiptarët të quhen shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjithashtu edhe romët e të tjerët të quhen shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është zgjidhja afatgjatë për Maqedoninë”, tha Selim Ibrahimi, Analist.

Profesori i shkencave politike Nano Ruzhin, tha se prania e Frederika Mogerinit dhe Johanes Hanit në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Prespë, është një sinjal se më 25 qershor në takimin e Këshillit Evropian dhe takimin e ministrave të jashtëm të 29 vendeve anëtare, pritet të aprovohet fillimi i bisedimeve të Maqedonisë për anëtarësim në BE. Ndërkaq, për Samitin e NATO-s, që do të mbahet në Bruksel më 11-12 korrik, ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Ruzhin, tha se ka informacion se pala greke në nivel ambasadorësh në NATO është në përgatitje të një raporti që tregon se heq veton e vendosur 10 vjet më parë kundër fqinjit veriorë.

“Kështu që është e mundur të marrim ftesë për anëtarësim, kurse e njëjta do të aprovohet pas referendumit të suksesshëm dhe diku kah fundi i këtij viti të bëhet miratimi i ligjit në Parlamentin e Greqisë që Athina zyrtare mbështetë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, Nano Ruzhin, Ish Ambasadori i Maqedonisë në NATO.

Sipas profesorëve, dyert e NATO-s do të jenë të hapura për Maqedoninë dhe procedura e pranimit do të vazhdoj diku 10-11 muaj. Njëkohësisht, pritet që BE krahas kësaj marrëveshje, pas 10 ditësh të caktoj datën e hapjes së bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE. Ekspertët thonë se nisja e negociatave pritet të bëhet në vjeshtë, ku palët do të vëzhgojnë paralelisht edhe rezultatet e referendumit dhe procesin e ndryshimeve kushtetuese.Tv21-M