BE dënon “sulmet kibernetike të Rusisë ndaj Ukrainës”

Bashkimi Evropian ka dënuar fuqimisht “kryerjen e sulmeve kibernetike të Rusisë ndaj Ukrainës”.
Deklarata dënuese e BE-së, për herë të parë në nivel të Unionit ka vendosur në objektiv në mënyrë të drejtpërdrejtë Rusinë si shtet. Në vend të shprehjes së përdorur më parë “sulmet e kryera nga Rusia”, në deklaratë Federata e Rusisë është akuzuar si shtet.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell në një deklaratë të bërë në emër të Unionit, theksoi se aktivitetet kibernetike me qëllim të keq të Rusisë” kanë vendosur në objektiv rrjetin satelitor KA-SAT të menaxhuar nga kompania amerikane Viasat.

“Sulmi kundër rrjetit i cili siguron shërbimin e internetit satelitor në rajonin e Evropës dhe Mesdheut, filloi një orë para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës me 24 shkurt”, tha Borrell duke shtuar se në këtë mënyrë është lehtësuar sulmi ushtarak i Rusisë.

Borrell theksoi se sulmi ka ndikuar tek institucionet publike, kompanitë dhe përdoruesit në Ukrainë dhe se nga sulmet janë prekur edhe disa vende të BE-së. Ai tha se Rusia sulmin e saj mund ta drejtojë edhe ndaj vendeve të tjera dhe se kjo mund të përbëjë një rrezik sistematik të sigurisë i cili do të vendosë në rrezik sigurinë e Evropës.

“Në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e BE-së, po vlerësohen hapat e rinj për të parandaluar, penguar dhe reaguar ndaj sjelljeve të tilla keqdashëse në fushën e kibernetike”, tha Borrell.
Rrjeti satelitor KA-SAT e cili përdoret edhe nga ushtria e Ukrainës, siguron shërbimet e internetit për rajonet e Evropës Lindore dhe Qendrore.

Thuhet se sulmet kibernetike kanë shkaktuar ndërprerje në këto rajone dhe kanë ndërprerë lidhjen e modemeve që kontrollojnë 5.800 turbina të erës në Gjermani. Po ashtu se nga sulmet janë prekur edhe disa klientë të kompanisë në Francë, Itali, Hungari, Greqi dhe Poloni./Anadolu Agency/