BE-a fillon fushatën në Maqedoni për mbështetje të referendumit


Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup filloi fushatën për promovimin e dobive nga anëtarësimi në BE. Nën moton “Të imagjinojmë të ardhmen së bashku”, përfaqësues të BE-së drejtpërsëdrejti do t’i takojnë qytetarët komunë më komunë për t’i vetëdijesuar rreth vlerave evropiane dhe për t’i bindur se secili prej tyre mund të kontribuojë për një jetë më të mirë në shoqëri. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Kristian Danielson tha se BE-ja mund ta imagjinojë Maqedoninë duke iu afruar dhe duke iu bashkëngjitur së shpejti, por theksoi se e ardhmja varet nga rezultati i referendumit të 30 shtatorit.

Më 30 shtator qytetarët këtu do të bëjnë zgjedhjen e gjeneratave dhe ajo do t’i japë formë të ardhmes së këtij vendi. Do të ketë pasoja për gjeneratat e ardhshme. Mendoj se apeli ynë për secilin është të ushtrojë të drejtën demokratike duke rrethuar në fletë-votim. Është një mundësi unike t’i jepni formë shoqërisë, në të cilën ju dëshironi të jetoni dhe t’i shihni familjet tuaja duke përparuar”- u shpreh Kristian Danielson, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian .

Kryeministri, Zoran Zaev tha se referendumi dhe reformat janë detyrat e shtëpisë, që Maqedonia duhet t’i kryejë në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Ai ftoi qytetarët që më 30 shtator të votojnë për të ardhmen evropiane të vendit.

Në referendumin e ardhshëm do ta bëjmë hapin e fundit që ta përfundojmë ndërtimin e shtetit tonë sipas rregullave evropiane. Me hapjen e negociatave me BE-në dhe me përmbushjen e detyrave të shtëpisë dhe reformave krijojmë shtet funksional, në të cilën qeveris rendi dhe ligji dhe në të cilin institucionet janë shërbim i hapur dhe i përgjegjshëm i qytetarëve. Referendumi është hapi i fundit që ta përmbyllim këtë transformim” – tha Zoran Zaev, Kryeministër, njofton Alsat M.

Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar tha me anë të anëtarësimit populli do ta ruajë identitetin.

Qëllimi ynë është të dëgjojmë dhe t’i kuptojmë shqetësimet tuaja në lidhje me procesin e BE-së. Duam t’i ndajmë me ju dobitë e të qenit vend anëtar, e të qenit pjesë e barabartë e një familjeje më të gjerë, që gjuha e Bllazhe Koneskit, Mateja Matevski dhe Lidija Dimovskës të bëhet gjuhë zyrtare e BE-së, i përkthyer si asnjëherë më parë, të jemi dëshmitarë për interes më të fuqishëm për kulturën tuaj, gjuhën dhe identitetin, që do të rezultojë me forcimin e vetëbesimit si popull”- u shpreh Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së.

Zhbogar kujtoi se BE-ja për 20 vjet ka qenë e angazhuar në progresin e vendit. Mbi 1 miliard euro ka ndarë për projekte në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, energji, bujqësi dhe sfera të ndryshme për të përmirësuar jetën e qytetarëve./Pacensure